Nga një premtim për incenerim modern, në një skandal me akuza për abuzim me fondet publike, riciklim pa ankand, zjarrvënie të qëllimshme dhe pasoja të rënda shëndetësore.
Shoqëria Eco-Elb u krijua si një shoqëri publike me kapital të përbashkët nga 7 bashki të qarkut të Elbasanit, me objekt menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane në impiantin e Elbasanit. Por, rruga e saj është kthyer në një sagë skandalesh, ku inceneratori – projekti milionësh – nuk është ndezur kurrë, ndërsa qytetarët paguajnë fatura gjithnjë e më të larta.
Nga sekuestrimi te qiraja simbolike
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme në dhjetor 2021, që vuri nën sekuestro shoqërinë “Albtek Energy”, impianti i mbetjeve kaloi nën administrimin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara. Në shkurt 2022, ky impiant iu dha me qira Eco-Elb për vetëm 1 euro në muaj. Prej asaj kohe, të gjitha bashkitë e qarkut lidhen kontrata për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në këtë impiant – por pa incenerim.
Në shkurt 2025, një analizë kostoje e kryer nga kompania private Filto Auditing (pa procedurë prokurimi) llogariti çmimin minimal 2,600 lekë/ton vetëm për depozitimin në landfill, ndërsa me incenerim çmimi do të shkonte deri në 5,000 lekë/ton. Kjo analizë u miratua vetëm me votat e mazhorancës, duke rritur tarifën krahasuar me kontratat e mëparshme që parashikonin edhe incenerimin.
Këshilltarja e opozitës, Bianka Copja, e cilësoi raportin “fiktiv dhe të fryrë me shpenzime të panevojshme”, duke akuzuar se Eco-Elb po fsheh fitime të mëdha nga riciklimi i mbetjeve. “Prej tre vitesh nuk është zhvilluar asnjë ankand për mbetjet e riciklueshme, sepse ato janë shitur privatisht dhe jashtë çdo rregulli ligjor”, tha ajo.
Dyshime për shitje të fshehta dhe zjarri i dyshimtë
Opozita ka ngritur akuza të forta se mbetjet e riciklueshme janë shitur pa transparencë. Administratori i Eco-Elb, Leli Kaja, e mohoi, por pak ditë pas debatit, fusha e mbetjeve pranë inceneratorit u përfshi nga një zjarr masiv. Zjarri shkatërroi çdo mundësi verifikimi, duke ushqyer dyshimet për shkatërrim provash.
Deputeti opozitar Blendi Himçi e quajti ngjarjen “simbolin e aferës së inceneratorëve”. “Në vend të inceneratorit milionësh, Elbasani ka vetëm plehra që digjen dhe helmojnë qytetarët”, deklaroi ai.
Hetime dhe akuza penale
Prokuroria e Elbasanit, e udhëhequr nga prokurori Xheljan Seferi, ka nisur hetimet për shpërdorim detyre ndaj drejtuesve të Eco-Elb, por nuk ka dhënë ende detaje. Dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme mbeten pjesë e hetimeve.
Pasoja shëndetësore dhe padi kundër Eco-Elb
Ndërkohë, qytetarët kanë nisur të kërkojnë drejtësi. Fatmira Sejrani, e mbështetur nga organizata “Drejtësi Sociale” dhe avokati Gentjan Sejrani, paditi Bashkinë e Elbasanit dhe kompaninë Eco-Elb për dëmet shëndetësore nga ndotja. Fatmira, që vuan nga astma, u detyrua të përdorë pompën e frymëmarrjes disa herë më shumë gjatë ditëve kur tymi i mbetjeve mbuloi qytetin. Ky proces mund të vendosë një precedent të rëndësishëm për drejtësinë mjedisore në Shqipëri.
Një skemë që vazhdon
Pavarësisht zhurmës politike, reagimeve qytetare dhe hetimeve, Eco-Elb vazhdon të marrë miliona nga bashkitë për një shërbim që as nuk ofron incenerim dhe as riciklim të certifikuar. Elbasani mbetet i mbuluar nga tymi dhe skandali i inceneratorëve shfaqet si një nga aferat më të mëdha të tranzicionit shqiptar.













