Vetëm disa vite pas inaugurimit me bujë, rruga Elbasan–Cërrik, një aks jetik për qarkullimin e banorëve dhe ekonominë lokale, është shndërruar në një simbol të mungesës së cilësisë në investimet publike. Asfalti i shtruar me fonde miliona euro është degraduar në të gjithë gjatësinë prej 23 kilometrash, duke rritur rrezikun e aksidenteve dhe duke shkaktuar revoltë në komunitet.
Një investim i shtrenjtë me jetëgjatësi të shkurtër
Në vitin 2017, rikonstruksioni i aksit kushtoi rreth 700 milionë lekë. Banorët e pritën me entuziazëm, por vetëm tre vjet më vonë, sipërfaqja e asfaltit filloi të shfaqte krisje, gropa dhe deformime.
“Nuk është normale që një rrugë kaq e kushtueshme të shkatërrohet brenda tre vjetësh. Kjo është një tallje me ne, qytetarët që paguajmë taksa,” – thotë Petrit G., banor i Cërrikut, i cili çdo ditë udhëton drejt Elbasanit si taksist.
Pamjet e fundit tregojnë segmente të rrezikshme, ku shoferët detyrohen të devijojnë lëvizjen për të shmangur gropat. Kjo ka sjellë një sërë aksidentesh. Më gusht 2025, një përplasje e rëndë mes dy automjeteve, ku njëra përfundoi në kanal, u bë dëshmi e gjallë e pasojave të rrugës së dëmtuar.
“Po rrezikojmë jetën çdo ditë. Nuk është vetëm makina që dëmtohet, por mund të mos kthehemi më gjallë në shtëpi,” – shprehet Elda M., një nënë e re nga Elbasani që udhëton çdo dite drejt punes se saj në Cërrik.
Ekspertët: Rrugë të bëra për fushata, jo për jetëgjatësi
Një inxhinier transporti që nuk dëshiron të identifikohet, analizon problemin si pasojë të mungesës së standardeve në tenderime:
“Rrugët tona ndërtohen shpesh si projekte elektorale. Punimet bëhen me materiale të lira, pa kontroll teknik dhe pa mirëmbajtje afatgjatë. Kjo sjell një cikël të shkatërrimit të shpejtë, që përkthehet në kosto të reja për shtetin dhe rrezik për qytetarët.”
Sipas tij, mungesa e një sistemi monitorimi dhe ndëshkimi për kompanitë zbatuese është arsyeja kryesore pse situata përsëritet.
Ndërkohë banorët theksojnë se kanë dërguar ankesa të vazhdueshme, por institucionet nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje konkrete.
“Kur hapet rruga, na thonë se është standard europian. Pas dy vitesh, na thonë se s’ka fonde për mirëmbajtje. Kush mban përgjegjësi për rrugët e mia?” – pyet një e moshuar nga fshati Gjergjan.
Ndërkohë, qytetarët e thjeshtë paguajnë dy herë: një herë me taksa për ndërtimin dhe më pas me xhepin e tyre, duke riparuar makinën çdo muaj.
Rasti i rrugës Elbasan–Cërrik është një pasqyrë e qartë e problematikave që shoqërojnë investimet publike në infrastructure qysh nga tenderimi, mbikqyrja e punimeve, marrja në dorëzim dhe mirëmbatja.














