Robert F. Kennedy Jr hodhi dyshime se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë shkakton autizëm, “Kenvue” mohon akuzat

Kompania farmaceutike Kenvue, prodhuesja e Tylenol (i njohur si paracetamol në Mbretërinë e Bashkuar), ka deklaruar se ilaçi i saj mbetet i sigurt, pasi aksionet e saj ranë ndjeshëm pas një raporti se sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., mund të lidhë përdorimin e medikamentit gjatë shtatzënisë me autizmin.

Sipas BBC, aksionet e Kenvue ranë me 14% gjatë tregtimit të së premtes, përpara se të rimëkëmbeshin pjesërisht, duke mbyllur ditën me një rënie prej 9.5%. Kompania doli publikisht për të mbrojtur reputacionin e ilaçit, duke theksuar se nuk ka prova shkencore që të mbështesin një lidhje të tillë.

Raportime nga Wall Street Journal sugjerojnë se Kennedy pritet të publikojë këtë muaj një raport zyrtar mbi rritjen e rasteve të autizmit në SHBA, ku do të përmendet përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë si një faktor i mundshëm. Departamenti i Shëndetësisë ka reaguar, duke thënë se informacionet mbi përmbajtjen e raportit janë thjesht “spekulim” dhe se përfundimet do të bazohen në “shkencë të standardit të artë”.

Mjekët amerikanë zakonisht rekomandojnë përdorimin e Tylenol gjatë shtatzënisë për lehtësimin e dhimbjeve dhe temperaturës, duke shmangur ibuprofenin, i cili konsiderohet më i rrezikshëm për nënën dhe fetusin. Kenvue deklaroi se “nuk ekziston një lidhje shkak-pasojë mes përdorimit të acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe autizmit” dhe se të gjitha organizatat kryesore mjekësore e konsiderojnë të sigurt përdorimin e tij, kur respektohen udhëzimet.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) rekomandon që çdo grua shtatzënë të këshillohet me mjekun para përdorimit të ilaçeve pa recetë. “Nuk ka prova të qarta që tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes përdorimit të kujdesshëm të acetaminofenit dhe problemeve të zhvillimit fetal,” tha Christopher Zahn, drejtues i praktikës klinike në ACOG.

Studimet shkencore mbi këtë çështje mbeten të paqarta. Një analizë e kryer nga studiues të Icahn School of Medicine dhe Harvard TH Chan School of Public Health, që përfshiu 46 studime të mëparshme, tregoi rezultate të përziera: 27 prej tyre sugjeruan një rrezik të shtuar për çrregullime neurozhvillimore, 9 nuk gjetën lidhje, ndërsa 4 të tjera raportuan efekte mbrojtëse. Nga ana tjetër, një studim i vitit 2024, botuar në Journal of the American Medical Association, i cili përfshiu 2.4 milionë fëmijë të lindur në Suedi, nuk gjeti asnjë provë që të mbështesë një lidhje shkak-pasojë.

Kenvue ka qenë prej vitesh objekt i qindra padive që pretendojnë se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë shkakton autizëm. Megjithatë, në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë federale i hodhi poshtë të gjitha rastet, duke argumentuar se paditësit nuk kishin sjellë dëshmi shkencore të mjaftueshme. Tani, vendimi është në apel.

Autizmi, i cili prek aftësitë e komunikimit dhe sjelljen sociale, sipas CDC, prek një në 31 fëmijë në SHBA. Shkencëtarët theksojnë se rritja e rasteve lidhet edhe me ndërgjegjësimin më të madh dhe zgjerimin e definicionit të çrregullimit, por studimet mbi faktorët mjedisorë dhe ndikimin e barnave vazhdojnë.