Policia e Tiranës ka vënë në pranga këtë të enjte tre persona, të cilët akuzohen për shitje të paligjshme të biletave për ndeshjen e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Personat në fjalë u identifikuan nëpërmjet rrjeteve sociale aty ku reklamonin bileta me çmime nga 300 deri në 1 mijë euro.
“Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave””, njoftoi policia.
E shtuna e 7 qershorit, rezervon një nga duelet me të zjarrta të Ballkanit, siç është përballja Shqipëri-Serbi. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Interesimi për këtë ndeshje ka qenë tejet i lartë, me rreth 200 mijë kërkesa për bileta nga tifozët.
