Duket se paga mesatare po kthehet në një “mollë sherri” mes partive politike në këtë fushatë elektorale.
Të gjitha palët kanë prezantuar programet e tyre dhe një prej premtimeve është sigurisht, rritja e rrogave dhe pensioneve.
Teksa Partia Socialiste e Edi Ramës premton që pagën mesatare në mandatin e katërt ta çojë në 1 mijë euro, kundërshtarët kryesorë të Partisë Demokratike janë kundërpërgjigjur më një shifër më të lartë.
Sali Berisha premtoi rritjen e pagës në 1200 euro, nëse fiton një mandat qeverisës në 11 maj. Rritje rroge ai premtoi për mësuesit, ndërsa nga ana tjetër foli për ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.
“Mësuesit do arrijnë rrogën 1200 euro derisa të paguhen më shumë se çdo mësues tjetër në Ballkan. Energjia do u shitet bizneseve me 8 lekë, familjarët me 7 lekë, tarifa e ujit do të përgjysmohet”, tha ai.
Se sa të realizueshme janë këto premtime, mbetet për t’u parë pas 11 majit dhe nëse partia që do fitojë, këtë herë do i qëndrojë “besnike fjalës” së dhënë.
