ITALI- Senati italian ka miratuar me 129 vota pro marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Shqipërinë. Nga kjo marrëveshje përfitojnë 550 mijë shqiptarë.
Në punimet e seancës plenare të Senatit italian, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Marrëveshja u firmos më 6 shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu Italian, Antonio Tajani. Kjo marrëveshje, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni. Marrëveshja, e cila hyn në fuqi pas ratifikimit nga të dyja vendet, do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.
Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione. Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.
