AUSTRALI – James Harrison, një burrë australian i njohur si “burri me krahun e artë”, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare më 17 shkurt. Ai u bë i famshëm për shpëtimin e jetës së mbi 2 milion foshnjave, duke dhuruar plazmë më shumë se 1,100 herë, një arritje që i solli mirënjohje dhe respekt global.
Harrison, nga qyteti i Junee në Uellsin e Ri Jugor, filloi të dhuronte gjak që kur ishte 18-vjeçar, pas një operacioni të mushkërive. Gjakut të tij i mungonte një antitrup i rrallë, Anti-D, që u përdor për të shpëtuar jetën e foshnjave, të cilat do të ishin të rrezikuara nga një sëmundje e quajtur sëmundja hemolitike e fetusit dhe të porsalindurit (HDFN).
Pas më shumë se gjashtë dekadash dhurimesh, Harrison u tërhoq në vitin 2018. Ai shpëtoi 2.4 milionë foshnja, dhe kontribuoi në shpëtimin e shumë familjeve, përfshirë atë të vajzës së tij, Tracey Mellowship, e cila e lavdëroi babanë e saj për kontributin e tij humanitar dhe humorin e tij të pazëvendësueshëm.
Në një homazh për Harrison, Stephen Cornelissen, shefi ekzekutiv i Lifeblood, e cilësoi atë si një njeri të jashtëzakonshëm dhe të paepur, duke theksuar se trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë përmes dhurimeve të tij.
Edhe pas vdekjes së tij, Harrison do të vazhdojë të shpëtojë jetë, pasi shkencëtarët kanë arritur të rrisin antitrupin e tij në një laborator, me shpresën se kjo mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes hemolitike në nivel global.
