Berlin, 23 shkurt 2025 – Kancelari gjerman Olaf Scholz ka pranuar humbjen e partisë së tij, Social Demokratëve (SPD), në zgjedhjet e fundit, duke i cilësuar rezultatet si “të hidhura”.
Sipas exit poll-eve, SPD ka zbritur në vendin e tretë me 16-16.5% të votave, një goditje e rëndë për partinë që drejtoi vendin në vitet e fundit. Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz deklaroi se ky është një moment i vështirë për partinë e tij. “Duhet të pranojmë se kemi humbur këto zgjedhje,” u shpreh ai.
Ai krahasoi rezultatin aktual me zgjedhjet e mëparshme, duke pranuar se partia dikur kishte performuar më mirë dhe se ai personalisht mban përgjegjësi për rënien e mbështetjes këtë herë. “Në zgjedhjet e kaluara patëm një rezultat më të mirë për të cilin isha përgjegjës. Këtë herë rezultati është më i keq, dhe unë jam përgjegjës për këtë,” tha ai.
Në fjalën e tij, Scholz përgëzoi liderin e partisë Demokristiane (CDU/CSU), Friedrich Merz, i cili kryeson në sondazhe dhe pritet të marrë drejtimin e qeverisë së re. Tashmë, sytë janë të kthyer nga faza e ardhshme e formimit të koalicioneve dhe ndikimi që ky rezultat do të ketë në skenën politike gjermane.
