Martesat e hershme vazhdojnë të jenë një fenomen që i detyron fëmijët të heqin dorë nga shkolla si një traditë e hershme, mentalitet apo edhe nevojë ekonomike që lidhet shpesh me komunitete në minorancë si ai rom dhe egjiptian, por edhe me familje të varfëra.
Rastet e braktisjes së shkollës janë prezente sidomos në zona të tilla si lagjja e Fermës në Cërrik, ku cdo vit vajzat heqin dorë nga shkolla qysh në moshë të hershme, 11-12 vjeç dhe martohen duke krijuar kështu familje.
Behije apo Zeka, sic e thërrasin të gjithë banorët e Cërrikut njihet për lidhjen e fuqishme me komunitetin. Ajo ka arritur të kthejë në shkollë vajza që familja ka vendosur ti martojë duke bindur familjarët për pasojat që sjell martesa e hershme.
“Kam lobuar dhe jam përpjekur shumë për t’i sensibilizuar dhe mendoj se kam arritur diçka. Kam arritur të bind të shkojnë në shkollë vajza e djem që ishin shkëputur nga arsimi. Mundohem t’u flas e t’i këshilloj, sot kam 27 nxënës nga komuniteti rom e egjiptian në klasë dhe kjo është një arritje”- shprehet ajo.
Zeka tregon raste të martesave të hershme dhe problematikave sociale dhe ekonomike që kanë shkaktuar duke sjellë në jetë fëmijë që kanë vështirësi të mëdha në integrim dhe në një jetë në kushte normale.
“Kam pasur në grup dy të mitur, djali ishte 17-të vjeç ndërsa vajza 13-të. Pasi e mora vesh, i këshillova të mos martohen se përveçse ishin të vegjël nuk kishin asnjë kusht, as shtëpi, as punë asgjë. U përpoqa po s’më dëgjuan, vendosën të martohen. Sot kanë tre fëmijë, është për të ardhur keq, ikin lypin nëpër Tiranë e Durrës.
Problemi është se e kanë si traditë familjare. Kur i thua nënës mos e marto vajzën se ështe e vogël, ajo të thotë se s’ka me çfarë ta mbajë”- u shpreh ajo.
Sot zeka është drejtuese e qendrës ku trajtohen shumë fëmijë që janë pjesë e komunitetit rom e egjiptian në këtë qytet. Ajo ka një grup fëmijësh që i ndihmon në bërjen e detyrave dhe në kalimin e një kohe cilësore pas shkolle.
Kjo nismë që për Zekën nisi fillimisht si pasion dhe si një dëshirë e madhe për të bërë mirë, ka shkëputur nga rruga e ka cuar në bankat e shkollës shumë fëmijë në Cërrik.
“Ne kemi krijuar mundësitë që këta fëmijë të vijnë të bëjnë detyra pas shkolle, si dhe mundësi për vajzat që të mësojnë makinën qepëse. Kemi 5-së mentor nga komunitetit për të cilët jam shumë e lumtur që kanë vendosur të punojnë vullnetarisht”- thotë Zeka.
Ajo kan një celës të fuqishëm që është komunikimi dhe njohja e mentalitetit të fëmijëve dhe familjeve të këtij komuniteti, por gjithmonë e më shumë kërkon mbështetje që vëmendja për këtë komunitet të jetë më e madhe dhe të zbuten sado pak plagë të tilla si braktisja e shkollës dhe martesat e hershme që vazhdojnë të jenë një fenomen shqetësues në zona të caktuara, sic është ajo e Fermës në Cërrik.













