TIRANA- Avokati i Kreut të PD-së, Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka folur për media pas lirimit të klientit të tij nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe çdo masë tjetër sigurie. Gjokutaj tha se Gjykata konstatoi se për Berishën nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë. Ai shtoi se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në “arrest shtëpie”.
“Sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, si një masë që nuk ka as kushte as kritere për caktimin e saj, dhe nga sot Sali Berisha është lirë dhe nuk ka asnjë masë sigurie ndaj tij.
Nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Unë nuk mund të relatoj dosjen për ju, por gjykata konstatoi se për Sali Berishën nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për asnjë lloj mase sigurie.
Prokuroria kërkoi që të qëndronte në arrest shtëpie. Kjo ishte kërkesa jonë, që kur kemi depozituar kërkesën. Këto kërkesa për revokim mase shqyrtohen brenda 5 ditëve dhe gjyqtarja caktoi dhe seancën”, tha avokati Genc Gjokutaj për mediat.














