Pak pjesëmarrës në olimpiada, nxënësit fitues në konkurset e dijes: Bashkëmoshatarët të provojnë veten!

Amber Spahi, një nxënëse e talentuar në letërsi arriti të fitojë olimpiadën kombëtare një vit më parë, duke shënuar një arritje të rëndësishme. Edhe këtë vit ajo shpreson të përsërisë suksesin dhe të tregojë sërish përkushtimin dhe pasionin e saj për letërsinë.

“Në të vërtetë lajmi që kisha fituar olimpiadën më ka ardhur surprizë. Ishte shumë e papritur për mua ishte viti i parë që mora pjesë në olimpiadë dhe e dija që përballë kisha nxënës të klasave të 10, 11 dhe 12. E ndjeja veten inferiore pasi kuptohet se ata kishin një eksperiencë më të gjerë, mund të kenë marrë pjesë edhe në vitet e kaluara. Dëshira ime është që të vazhdoj të zhvilloj potencialin tim në letërsi e prandaj do të marr pjesë edhe këtë vit e uroj edhe në vitin e ardhshëm. Do të marr pjesë për dëshirën dhe pasionin tim. Patjetër pritshmëritë e mia janë lart por e di që do jem e lumtur dhe krenare për veten që do te sfidoj veten dhe do të vazhdoj të marr pjesë”, tha Amber Spahi, nxënëse.

Amberi ndër të tjera, fton bashkëmoshatarët që të provojnë veten dhe të jenë pjesëmarrës sa më shumë në aktivitete të ngjashme si olimpiadat.

“Dua t’u bëj thirrje edhe bashkëmoshatarëve të cilët kanë pasione të ndryshme që të provojnë veten sepse mosha nuk është një kufi”, shtoi ajo.

Olimpiada është aktualisht duke u zhvilluar në rang shkolle dhe më pas Republike deri në datën 8 shkurt. Sipas Kartës së Performancës, numri i pjesëmarrësve dhe i fituesve në olimpiada është ulur ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë