Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon draftin për rregullat e regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve.
Votuesit duhet të regjistrohen online.
Sipas këtij projekt vendimi regjistrimi nis 120 ditë para zgjedhjeve dhe mbyllet 68 ditë para zgjedhjeve.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, nga këtu e vijim në këtë vendim referuar si “PER” e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PER është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë“, sqarohet ne projektvendim.
Sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, projektvendimi thotë se është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.
