Koncertet, këngëtarët më të preferuar, kush shet më shumë bileta

TIRANË- “Ndërsa numri i koncerteve po rritet, kërkesa për bileta nuk ka pësuar rritje drastike”, – thekson Arnold Kajolli, Drejtori Ekzekutiv i “Vivere Ticketing”, kompanisë që ka organizuar shumë koncerte këtë verë në Stadiumin Dinamo.

Në këtë intervistë, z. Kajolli shqyrton ndryshimet në trendet e shitjeve të biletave, duke vënë në dukje se interesimi për koncerte dhe festivale është në rritje, por pa ndikuar ndjeshëm në shitjet totale.

Ai diskuton gjithashtu ndikimin e çmimeve të biletave, profilin demografik të audiencës dhe sfidat që paraqet emigrimi i të rinjve në këtë industri. Z. Kajolli ofron një pasqyrë të qartë mbi evolucionin e preferencave të audiencës dhe ndikimin e ndryshimeve në tregun e eventeve në Shqipëri.

A mund të na tregoni për ndonjë trend në shitjet e biletave në krahasim me vitet e kaluara? A ka pasur rritje ose ulje të kërkesës?

Në vitet e fundit, kemi parë rritje të vazhdueshme në interesin e publikut për koncerte dhe festivale, duke reflektuar ndryshim të dukshëm në preferencat e konsumatorëve.

Njerëzit janë të vetëdijshëm për vlerën e një ngjarjeje kulturore të cilësisë së lartë dhe janë të gatshëm të investojnë më shumë për të marrë një përvojë të paharrueshme.

Kjo ka rezultuar në një rritje të numrit të eventeve me 25-30% dhe si pasojë, një rritje të kërkesës për bileta.

Megjithatë, ndonëse numri i eventeve është rritur dhe ndodhin vazhdimisht evente të reja, numri i biletave të shitura për evente të veçanta nuk ka pësuar një rritje drastike.

E rëndësishme është se shitjet online kanë marrë një përhapje të konsiderueshme, duke zëvendësuar ndjeshëm shitjet fizike.

Ky trend është një tregues pozitiv i përmirësimit të infrastrukturës dhe të ndryshimeve në preferencat e konsumatorëve për blerjen e biletave në mënyrë të digjitale.

⁠Sa është përqindja e biletave të shitura përpara ngjarjes krahasuar me biletat që shiten në ditët e fundit? A ka një ndryshim të dukshëm në kërkesë ndërsa afron data e ngjarjes?

Ka një rritje të dukshme në përqindjen e biletave të shitura përpara datës së eventit, ndërkohë që ende ndodhin shitje të konsiderueshme në ditët e fundit. Në përgjithësi, rreth 20% e biletave për evente të mëdha, si koncerte dhe festivale, shiten në ditën e fundit ose në hyrje të aktivitetit.

Kjo tregon se, ndonëse ka numër të lartë shitjesh në fund, trendi i blerjes së biletave më herët është në rritje. E rëndësishme është të theksojmë se ka sfida për të arritur një “sold out” përpara ditës së eventit, faktorët kryesorë për këtë përfshijnë numrin e popullsisë, financat, artistët dhe natyrën e eventit.

⁠A keni ndonjë informacion mbi profilin demografik të audiencës suaj (p.sh., mosha, gjinia, vendbanimi)? A ka interes nga turistë të huaj?

Profili demografik i audiencës sonë tregon se gjinia femërore është kryesisht mbizotëruese në eventet me pagesë, përkundër lokalëve ose night clubs.

Gratë/vajzat priren të blejnë bileta online, dhe kjo ka qenë e dukshme në ngjarje të veçanta, si koncerti i Konstantinos Argiros në Tiranë, ku 90% e audiencës ishin vajza. Grupmosha që frekuenton koncertet dhe festivalet është kryesisht nga 20 deri në 35 vjeç, megjithatë, kjo mund të ndryshojë në varësi të llojit të aktivitetit.

Turistët e huaj shpesh bëhen pjesë e aktiviteteve në Shqipëri kur janë me pushime, por nuk është e zakonshme që ata të udhëtojnë ekskluzivisht për një koncert të caktuar, edhe në rastet kur artistët janë të nivelit ndërkombëtar.

Për shembull, koncertet e artistëve të njohur ndërkombëtarë, si Jason Derulo, janë tërheqëse por Jason Derulo aktualisht është në një tur në Europë. Kjo do të thotë që të huajt e ndjekin atë në shtetin e tyre.

⁠Si ndryshojnë preferencat e audiencës për llojet e ngjarjeve dhe artistët? A keni vërejtur ndonjë ndryshim në interesat e audiencës në vitet e fundit?

Preferencat e audiencës kanë evoluar ndjeshëm në vitet e fundit. Shqiptarët tani janë të ekspozuar ndaj ngjarjeve dhe festivaleve ndërkombëtarë dhe kërkojnë përvoja më të avancuara dhe cilësore.

Ka një rritje të dukshme në interesin për muzikën elektronike, megjithëse kjo është një audiencë më e vogël, ajo është në rritje.

Muzika greke, veçanërisht këngët e Konstantinos Argiros, janë bërë një trend i ri, duke tërhequr madje edhe individë që nuk kanë lidhje me kulturën greke.

Ndërkohë, muzika hip-hop vazhdon të ketë një bazë të fortë ndjekësish dhe është gjithmonë e popullarizuar.

Si ndikojnë ndryshimet në çmimet e biletave në numrin e pjesëmarrësve? A keni ndonjë shembull konkret ku rritja ose ulja e çmimit të biletave ka ndikuar në interesin e audiencës?

Çmimet e biletave kanë ndikim të rëndësishëm në numrin e pjesëmarrësve. Oferta të ndryshme të çmimeve, si Early Bird, Pre-Sale dhe On Door, ndihmojnë në motivimin e konsumatorëve për të blerë më herët.

Shpesh, shitjet e shumta ndodhin në 1-2 ditët e fundit të ndryshimit të fazave të çmimeve. Promocionet, si ofrimi i biletave 1+1 ose përdorimi i kodeve promocionalë, gjithashtu nxisin një rritje të konsiderueshme në shitje.

A ka ndikuar emigrimi i të rinjve në industrinë e eventeve?

Sigurisht që ka ndikuar. Është bërë e vështirë të arrihen numrat e duhur për të pasur një audiencë që do të sillte të ardhura mjaftueshëm në koncert (nga shitja e biletave, pijeve dhe ushqimeve).

Dikur ka qenë shumë e vështirë për shkak të kulturës që të rinjtë kishin. Tani është e vështirë për shkak të numrit të të rinjve që kanë ikur.

Pozitive është se brezi më i vogël i të rinjve ndihen shumë europianë në sjellje dhe në qasje ndaj eventeve dhe ndoshta e ka plotësuar atë që mungon./Monitor.al