‘Pse nuk më merr djalin te Kombëtarja’? Zbardhet arsyeja e kërcënimit të Armand Dukës

DURRËS- Janë zbardhur detaje të reja lidhur me arsyet e kërcënimit të presidentit të FSHF-së, Armand Duka nga presidenti i Klubit “Iliria”, dy futbollistë dhe disa persona të tjerë.

Për ngjarjen e raportuar në pranga janë vënë në pranga presidenti i klubit “Iliria”, Nazmi Selmani, dy futbollistët, Santiano Selmani e Brajan Selmani dhe shtetasit Redian Haxhi e Petrit Selmani.

Sipas informacioneve presidenti i klubit “Iliria” ka kërcënuar Dukën se pse nuk i merr djalin te Kombëtarja. Bëhet fjalë për Gentian Selmanin, portierin e ekipit të Tiranës. Rreth orës 21:30, ata e kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik Dukën, dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa.

“Pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt”

Është zbardhur mesazhi që presidenti i klubit të futbollit “Iliria”, Nazmi Selmani i ka dërguar drejtuesit të FSHF-së para se t’i shkonte në banesë për ta kërcënuar, i shoqëruar dhe me 4 persona të tjerë. Mes këtyre persona ishin dhe djemtë e tij.

Në mesazh, Nazmi Selmani, i shkruan Dukës: “…..pyte nonen e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”.

Një nga fëmijët e Selmanit, sipas raportimeve, ka qenë dhe shkaku i kësaj ngjarje. Kjo sepse Gentian Selmani, i cili aktivizohet si portier në ekipin e Tiranës, nuk është thirrur në Kombëtare.