Strehuan në banesë vrasësin e Edmond Papës, Gjykata e Gjirokastrës lë në burg Adriatik dhe Julian Kalemin

GJIROKASTËR- Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në arrest me burg ditën e sotme Adriatik dhe Julian Kalemin. Këta të fundit kishin strehuar në shtëpinë e tyre Andrew Bode-n i cili është autori i dyshuar për vrasjen e Edmond Papës.

Adriatik Kalemi akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa Julian Kalemi akuzohet për “Përkrahje e autorit te krimit”.

Vrasja e Sadikajt

Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç është vrarë në një atentat me tritol me telekomandë në qershor të vitit 2022. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinën që rezulton të jetë në pronësi të Petrit Osmanit në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari është skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë.

Vrasja e Edmond Papës

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.

Vrasja e dyfishtë në Greqi

Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi.

Atentatet ndaj Andrea Kalemit

Atentati i parë ndaj Andrea Kalemit ka ndodhur më 9 gusht 2023 në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij. Më pas vetëm disa muaj më vonë në 14 dhjetor 2023, Andrea Kalemi është plagosur me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave greke kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.

Tentativa për vrasjen e Zamir Kalemi

Më 12 janar të vitit 2024, tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit, Zamir Kalemi. Ngjraja ndodhi në orët e mbërmjes pranë zones së Selitës, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. Nga të shtënat, Kalemi mbeti i plagosur rëndë, ndërkohë që autorët disa minuta më vonë dogjën automjetin në Bërzhitë. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk kapi organe jetike, ai u plagos vetëm në këmbë. Autorët e ngjarjes nuk u zbuluan kurrë.

Masakra e trefishtë në Memaliaj

Më 21 Korrik 2024 plani për hakmarrje nga Klani Papa ka vijuar duke vendosur si objektiv babain dhe xhaxhain e Adriatik Kalemit. Breshëria e plumbave është derdhur në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Shyqyri Kalemi së bashku me vëllanë e tij Artur Kalemin. Nga të shtënat ka humbur jetën Shyqyri Kalemi së bashku me kamarierin dhe një klient në lokal. Viktimat janë 36-vjeçari, kamarier i lokalit Gledio Muka dhe 37-vjeçari, klienti Marsel Çela të cilët ndodheshin në momentin “e gabuar” pranë shënjestrës. Nga atentati ka mbetur i plagosur rëndë edhe vëllai i Shyqyri Kalemit.