Verdh e Blutë do të luajnë këtë të Hënë në orën 20.00 në stadiumin “Elbasan Arena ” përballë Teutës së Durrësit. Kjo ndeshje pritet me interes të jashtëzakonshëm nga elbasanasit të cilët priten të jenë disa mijëra që do të mbushin shkallët e stadiumit sonte.
Për trajnierin e AF Elbasani, Verdh e Blutë nuk do të zhgënjejnë ndërsa gjatë komunikimit me mediat u shpreh optimist për ecurinë e ekipit dhe tha se sot luajnë për fitore.
“Ndeshja me Teutën që do zhvillohet këte të Hënë në Elbasan Arena është shumë e rëndësishme pasi do luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Duhet të jemi super të përqendruar, sepse nuk do të jetë e thjeshtë për të arritur rezultatin final. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë para tifozëve tanë”- u shpreh Roberto Bordin.
“Ekipin e Teutës e kam parë edhe nga viti i kaluar, trajneri është po i njëjti, ku e kemi analizuar si skuadër. Kemi edhe ditën e sotme për ta përgatitur dhe besoj se jemi gati. Është një skuadër që ka individë të mirë, por siç e thashë luajmë para tifozëve tanë dhe duhet që ta fitojmë”- tha ndër të tjera ai.














