Pas dakordësisë PD-PS, Kuvendi miraton me 106 vota pro dhe 2 kundër ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i hapet rrugë votimit të emigrantëve

Kuvendi ka miratuar me 106 vota pro dhe dy kundër ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Dy deputetët që votuan kundër ishin Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula. Ndryshimet morën votat e nevojshme pasi Partia Socialite dhe Partia Demokratike arritën marrëveshjen për votën e diasporës dhe formulën e listës së kandidatëve për deputetë.

Sipas ndryshimeve në ligjin për Kodin Zgjedhore lista e deputetëve nuk do të jetë tërësisht e hapur. 1/3 do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale. Kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët, gjë që do t’i japë automatikisht të drejtën për tu ngjitur në renditje e për të shpresuar në fitoren e mandatit.

Kodi i Ri Zgjedhor i hap rrugë edhe votimit të votës së diasporës, ndërsa bën edhe një tjetër ndryshim. Pragu elektoral kombëtar do të jetë 1%. Kjo iu jep mundësi përfaqësimi partive të vogla, por mandati për to do të kalkulohet vetëm nëse në një qark të caktuar tejkalojnë shifrën e 7 mijë votave. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025, në 5 qarqe pritet të implementohet votimi elektronik. Kjo u paralajmërua nga bashkëhartuesi i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga foltorja e Kuvendit më herët gjatë seancës.