TIRANA- Një festë familjare për pak sa do të kthehej në tragjedi në kryeqytet. Mësohet se në orët e para të mëngjesit të sotëm, 32-vjeçari Edison Elezaj ka qëlluar me një armë të cilën e mbate pa leje, dhe ka plagosur 3 persona në festë.
Këta të fundit janë paraqitur në një spital privat. Sipas njoftimit të policisë, 32-vjeçari ka kryer vetëm një shkrepje të pavullnetshme, dhe kjo supozohet të ketë kapur të tre të lënduarit.
Gjithashtu mësohet se personi që ka qëlluar, Edison Elezaj, është djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i ujit “Lajthiza”.
Njoftimi i policisë:
Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.













