Mjeshtre e punimit me shtiza, vajza nga Elbasani imiton në mënyrë të përsosur markat më të njohura të çantave

E apasionuar pas qëndisjes, Anisa Mëhalla e ka kthyer në profesion pasionin për punimin e fijes ku përmes shtizave e grepit krijon mrekulli të vogla me duart e saj të arta.
Sot është 33 vjeç, por thotë se punimin e saj të parë e ka bërë qysh në moshën 6 vjeçare. Ajo tregon se kjo është një traditë familjare të cilën mamaja e saj ia trashëgoi të pesta vajzave e se kjo traditë duhet të vazhdojë.

Prej dy vitesh e gjysëm që nga hapja e biznesit Anisa i është përkushtuar punimit të çantave me dorë, modelet e të cilave i përshtat në varësi të kërkesës së klientëve, ndërsa nuk harron të ndjekë trendet më të fundit.

Atelinë e saj të vogël e mbushin punimet e mrekullueshme, të punuara mjeshtërisht dhe vetëm me dorë siç thekson ajo. Modele të shumëllojshme, imitime të markave më të njohura të punuara me grep e shtiza terheqin vëmendjen sapo gjendesh brenda. Për Anisën kjo nuk është thjesht një punë, por edhe është një mënyrë për të mbajtur gjallë traditën e familjes.

“E kemi kthyer në traditë familjare. Mua dhe motrave na e ka trashëguar mamaja jonë, ndërsa ajo e ka marrë nga nëna e saj, gjyshja. Punimin e parë, një rrugicë për pajën e motrëse kam realizuar kur kam qenë vetëm 6-të vjeç.”- shprehet ajo.

Anisa nuk punon vetëm çanta. Ajo mundëson riparimin e rrobave të dëmtuara, krijon bizhu e aksesorë të ndryshëm sipas kërkesës së klientëve, duke realizuar gjithçka me dorë.

Sipas saj pasioni për këtë punë mposht gjithë vështirësitë ndërsa shprehet se është shumë e lumtur që vazhdon traditën familjare.