Universitetet publike të vendit këtë të premte iu nënshtruan zgjedhjeve akademike për rektor, dekanë dhe për senatin akademik. Në rreth 90% të universiteteve për rektor kishte vetëm nga një kandidat, ndërsa procesi zgjedhor u zhvillua pa praninë e mediave.
Studentët ata që kishin peshën më të madhe në këtë votë, ishin të painformuar për kandidaturat që do të votonin, ndërsa pati një pjesëmarrje të ulët të studentëve në votime për drejtuesit që do t’i udhëheqin në 4 vitet e ardhshme.
Universtieti i Tiranës më i madhi në vend me 6 fakultete kishte vetëm kandidaturën e rektorit aktual Artan Hoxhës për një mandat të dytë. Report Tv ishte në këtë universitet për të ndjekur procesin e votimit, por ndryshe nga sa predikohet në leksione, mediat nuk u lejuan brenda qendrave të votimit për transparencën e procesit.
Në 6 universitet publike në kryeqytet, vetëm në atë të Arteve ka garë mes Artan Peqini dhe Erald Bakalli, ndërsa në 5 universitete e tjera vetëm një kandidat, duke vendosur kështu de fakto edhe drejtuesin e radhës.
Në Universitetin e Mjekësisë për rektor kandidoi dekani aktual i mjekësisë Xheladin Draçini, ndërsa tek Politekniku për rektor kandidoi i vetëm zv.rektori aktual Akil Fundo. Në Universitetin Bujqësor do të shërbejë edhe 4 vite të tjera rektori aktual Fatbardh Sallaku, sepse nuk ka kandidat tjetër, e njëjta situatë edhe tek Universiteti i Sporteve do jetë sërish rektor edhe për 4 vite të tjera Agron Kasa.
Zgjedhjet me një kandidaturë, si dhe kandidimi për një mandat të dytë të rektorit Artan Hoxha apo te dekanes së Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha kanë sjell polemika në publik duke i akzuar për plagjiaturë të doktoraturës në titullin Doktor Shkencash.
Zgjedhjet janë mbajtur edhe në rrethe, ndryshe nga çfarë është parë në Tiranë, në rrethe ka pasur interes për 2 deri në 3 kandidatë për rektor në një universitet.
Në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka pasur pakënqësi që në shpalljen e kandidaturave, e më pas edhe për procesin zgjedhor. Në këtë universitet u zgjodh rektor Tonin Gjuraj, i cili ishte në garë me Rajmonda Këçira dhe Nertila Ljarja. Në Korçë u zgjodh rektor i ri Lorenc Ekonomi, mdërsa më garë kandiduan Irena Nikaj dhe Robert Damo. Në Durrës fitoi Shkëlqim Fortuzi.
Ndryshe nga çfarë është parë në qendrat e tjera të votimit, në Vlorë kutitë mbanin logon e PS-së, duke shkaktuar pakënaqësi tek votuesit, ndërkohë që në garë për rektorë ishin 3 kandidatë, Evelina Bazini, Kreshnik Bello, Aurela Saliu.
Në universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani’ kandidoi vetëm një kandidat për rektor, Elvira Fetahu. Procesi zgjedhor u mbyll në orën 16:00 dhe ka nisur numërimi, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes priten rezultatet e fitueseve.
Lajm në përditësim…













