Më propozim të Ilir Metës, partia e Lirisë ka zgjedhur sot me votë unanime 6 anëtarët e rinj të kryesisë politike. Anëtarët e rinj të kryesisë janë Besmir Hoxha (Sekretar për Organizimin); Pegiola Toro (Anëtare e Këshillit Bashkiak, Roskovec); Sokol Ponari (Sekretar Digjital); Dea Nako (Zëdhënëse e Partisë së Lirisë);Jasmina Hasanllari (Sipërmarrëse); Dashamir Xhika (Kryetar i PL, Elbasan).
Ajo që bie në sy është se Meta ka rikthyer ish-kreun e ARRSH-së Dashamir Xhikën, aktualisht kryetar i PL-së në Elbasan.
Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, kallëzoi në prokurori Xhikën për abuzimet financiare që ishin bërë nga ish-drejtuesit e ARRSH në rrugën Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri ju drejtua me një kallëzim kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Pas një muaj nga ky kallëzim, Elisabeta Imeraj, atëherë prokurore e çështjes urdhëroi arrestimin e tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ish-drejtori Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.
Më pas Xhika dhe ish-zyrtarët e tjerë morën pafajësi në gjykatën Penale, por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit. Dashamir Xhika ka qenë dhe kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2017.













