“Të kthejmë hapsirat publike të braktisura dhe pa funksion në vende sportive dhe argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë”, kjo ishte motoja e aktiviteteve të organizuara nga INAC në parkun Rinia të qytetit të Elbasanit si pjesë e projektit “Klubi i Aktivizmit” të financuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Volejboll në një fushë të përshtatur në brendësi të kanionit të parkut, pingpong nga nxënësit më të talentuar nga të gjitha shkollat e qytetit duke transferuar tavolinën e pingpongut në një hapësirë të betonizuar dhe pa funksion. Gjithashtu nga sportistet e karatesë u demonstruan ushtrime të ndryshme duke afruar më shumë të rinjtë drejt sporteve dhe natyrës. Ata u drejtuan nga mësues të fiskulturës dhe trajnierë duke përcjellë tek të rinjtë dhe pjesëmarrësit rëndësinë e sporteve, vlerën e tyre për shëndetin dhe rëndësinë e ambienteve në shërbim të këtyre aktiviteteve.
Në përfundim të këtyre aktiviteteve nga INAC u ndanë certifikata pjesëmarrjeje nga Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak, Henerieta Ferra përfaqësuesi i Sektorit të Rinisë pranë bashkisë Elbasan Sokrat Ndrija, Këshilltaret Esmeralda Mallosi dhe Eligerta Drizari si dhe trajnierja e pingpongut Greta Kovaçi dhe mësuesi lëndës Edukim Fizik, Olgert Marku.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte dhe ndarja e certifikatave për vetë aktivistët e Klubit, të cilët në vazhdimësi kanë ngritur zërin dhe kanë organizuar nisma e aktivitete në shërbim të përmirësimit të hapësirave publike në shërbim të të rinjve.
Njëkohësisht në shkollën “Bardhyl Popa” u organizuan aktivitete sportive me më të vegjlit brenda ambienteve të shkollës. Kjo shkollë është qendër komunitare dhe si e tillë i shërben të gjithë zonës veriore të qytetit për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive dhe argëtuese.
