Opozita në Këshillin Bashkiak hedh akuza të forta ndaj bashkisë Elbasan për punëtorin që humbi jetën. Kërkon komision hetimor

Këshilltarët e opozitës në Këshillin bashkiak të Elbasanit kërkuan gjatë mbledhjes së radhës ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e vdekjes së punonjësit të shërbimeve të bashkisë Eduart Balliu si pasojë e një aksidenti në punë.

Blendi Himçi duke folur edhe në emër të këshilltarëve solli detaje të ngjarjes që hedhin dyshime për shkelje të theksuara në kushtet teknike të mjetit që solli këputjen e një pjese të vincit e për pasojë vdekjen e punëtorit. “Së pari tentativa e bashkisë Elbasan për ta manipuluar çështjen se Eduart Balliu kishte shkuar në një punë private sepse shkresa ishte diku tjetër, u paraqit nga bashkia para policisë së rendit, gjë që është shumë e rëndë. Është një vrasje për herë të dytë që i bëhet atij. Unë këtu nuk jam këtu për të shfrytëzuar fatkeqësinë pasi kam pasur edhe njohje personale por ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë”.

Pas ndërprerjeve të fjalës së tij, Himçi vazhdoi të rendiste disa arsye të aksidentit. “Mjeti I punës ka 10 vjet ka u kolauduar”theksoi ndër të tjera Himçi.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja theksoi se ngjarja ka pasur një ndjeshmëri të madhe por që duhet ti lihet hetimeve. “Ka pasur ndjeshmëri shumë të madhe pasi Arti ka qenë një ndër punëtorët më të vjetër e më të mirë. Ka një diçka që ka një rregullore bashkia Elbasanit se si dilet me mjetin, si vendosen tapat e vinçit. Të gjithë punonjësit e kanë sigurimin Teknik dhe punonjësit ka qenë deri në qershor, ka qenë I trajnuar. Të gjitha këto janë pjesë e hetimit. Çështja hetimore vazhdon. Nëse mendoni që është për të bërë politikë një fatkeqësi e një personi që është i nderuar dhe i respektuar atëherë vazhdoni”.

Një prej këshilltareve të partisë demokratike, Valbona Balliu e ka përjetuar personalisht këtë ngjarje që solli vdekjen e kunatit të saj dhe kërkoi me forcë që të hetohet dhe të zbardhen të gjitha përgjegjësitë.

Pavarësisht përpjekjeteve të këshilltarëve të opozitës, që mblodhën edhe ¼ e firmave për ngritjen e komisionit hetimor, Kryesia e këshillit nuk i mori parasysh duke kërkuar një procedurë zyrtare për shkresën e një pjese të këshilltarëve për hetimin e vdekjes së punonjësit të bashkisë.
Ndërkohë mes debateve u miratuan edhe pika të tjera të rëndit të ditës si rinovimi I kontratës për strehën e qenve pa pronarë, miratimin e gjobave nga ana e policisë bashkiake, të cilat hasën në kundërshtim dhe reagime nga këshilltarë të opozitës por që në fund morën miratimin me forcën e kartonit nga mazhoranca.