Është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici 39-vjeçari, Edison Demiri, i cili është dënuar me 6 vite burg për vrasje.
Mësohet se 39-vjeçari është vetëdorëzuar pranë komisariatit në pikën kufitare të Kapshticës, teksa i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 11 muaj e 18 ditë burgim nga dënimi i tij. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e një 78-vjeçari në vitin 2011. Krimi, i ndodhur në fshatin Pojan të Korçës, ndodhi për motive të dobëta, teksa 39-vjeçari së bashku me një person tjetër e sulmuan të moshuarin, duke i shkaktuar plagë të rënda, që i morën dhe jetën. Në këtë ngjarje ka ngelur i plagosur edhe djali i Demirit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ekzekutoi vendimin e Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit në kërkim Edison Demiri, 39 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, i cili u vetëdorëzua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e datës 14.11.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 11 muaj e 18 ditë burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim.
Më datë 25.07.2011, në fshatin Pojan, Maliq, ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për motive të dobëta, ka plagosur me pasojë vdekjen, shtetasin A. Z., 78 vjeç, si dhe ka dëmtuar lehtë djalin e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
