Reagim i Bashkisë Elbasan!
Referuar materialit të transmetuar nga emisioni “STOP” në TV Klan, ku shfaqen në pamje filmike punonjës të IMT Elbasan të përfshirë në akt të shpërdorimit të detyrës, Bashkia e Elbasanit ka kryer pezullimin e menjëhershëm nga detyra ashtu sikurse u ka kërkuar organeve ligjzbatuese hetimin e plotë të rastit.
Bashkia e Elbasanit gjen rastin t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të refuzojnë dhe denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të IMT apo çdo strukture tjetër.
Falë bashkëpunimit me qytetarët dhe me ndihmën edhe të medias, Bashkia e Elbasanit nuk do të lejojë që individë të caktuar përmes veprimeve të tyre abuzive të njollosin punën e qindra burrave e grave, vajzave dhe djemve që punojnë çdo ditë pa u lodhur për qytetin tonë.
