Poliklinika e Specialiteteve pas rikonstruksionit merr edhe një emërtim të ri, ja si do të quhet

Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan me vendim të Këshillit Bashkiak do të mbajë emrin e doktorit Lefter Guxho. Në inagurimin e pllakatës në fasadën kryesore të godinës kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja bashkë me drejtorin e Qendrës Spitalore ” Xhaferr Kongoli”, kanë vlerësuar profesionin e mjekëve të Elbasanit. ” Sot në fakt është një ditë e shënuar për poliklinikën qendrore të Elbasanit pasi po e rihapim me një emër të doktorit tonë të dashur të qytetit të Elbasanit i cili ka dhënë shumë për qytetin. Doktor Guxho ka qenë i nderuar, ka qenë një nga mjekët e mirë tonët. Këshilli Bashkiak para disa kohësh i ka vendosur emrin disa pavioneve por edhe poliklinikës qendrore të qytetit. I desh rikonstruksioni i plotë i godinës që të vendosej edhe pllakata. Shumë urime të gjithëve! Ta gëzoni edhe poliklinikën e re, sepse sot në fakt quhet e mirëfilltë, një inagurim i të gjithë poliklinikës, por edhe me emrin e Lefter Guxho, i cili është një nga mjekët tonë më të mirë. Faleminderit drejtor që zbatuam edhe vendimet e Këshillit Bashkiak për vendosjen e ikonave të mjekësisë së Elbasanit në disa nga pavionet tona kryesore, por edhe në poliklinikën qendrore”,tha z. Llatja. E rikonstruktuar pak kohë më parë Poliklinika e Elbasanit ofron shërbim shëndetësor ambulator të organizuar në 30 kabinete mjekësore me 19 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme.