Haxhi Baba Faik Selmani është 85 vjeç. Ai ka ndjekur ritet e besimit bektashian qysh në moshën 5-vjeçare.
Veshja tradicionale me ngjyrat e bektashizmit dhe mjekrra e bardhë, janë tipar dallues i një kleriku që mban tituj të lartë si Haxhi e Baba. Atë e gjen gjithmonë në teqen qendër të bektashizmit, Teqja e Baba Xhemalit.
Ai tregon se besimin trashëgoi nga familja që kur ishte ende fëmijë. Feja bektashiane është e lidhur ngushtë me islamin. “Ne jemi myslimanë, libër të shenjtë kemi Kuranin”- thotë ai.
Sot për të gjithë bektashinjtë është një ditë e shënuar, dita e Sulltan Nevruzit.
Haxhi Baba Faik Selmani na flet për ritet e kësaj dite të shenjtë. Ai thotë se në këtë ditë që është ditëlindja e Imam Aliut në Qabe, besimtarët e nisin ditën duke pirë qumësht.
“Bektashinjtë pijnë qumësht, meqë qumështi është i pari ushqim që provon fëmija kur lind”- shpjegon ai.
Në këtë ditë të Sulltan Novruzit Haxhi Baba Faik Selmani uron të gjithë besimtarët. “Në këtë ditë që njihet ndryshe edhe si Dita e Ringjalljes, i uroj gjithë besimtarëve lumturi, paqe, shëndet e harmoni në familjet e tyre! Le të lutemi e të shpresojmë të gjithë për një të ardhme më të mirë”- shprehet ai.
