Reagon gazetari: Situatë alarmante, Pushteti po tenton “t’u mbyllë gojën” mediave lokale

Nga Armand Braho
REAGIM: Situatë alarmante! Pushteti po tenton “t’u mbyllë gojën” mediave të fjalës së lirë/ Korça Plus dhe Pogradeci Press në rrezik !
Të pakta janë dritaret e informimit në Qarkun e Korçës, të cilat janë në shërbimin dhe misionin real për informimin e publikut edhe në rastet kur demaskojnë propagandën e institucioneve. Gjithnjë e më pak media kanë guximin që me paanshmëri të denoncojnë akte korruptive, shpërdorime të financave publike dhe arrogancën e menaxhimit të institucioneve.
Në këto kushte së fundmi nga burime të brendëshme pranë institucioneve bëhet e ditur që ka një angazhim nga disa institucione përfshirë Bashkinë e Korçës dhe Pogradecit që nëpërmjet IT-ve të tyre, të goditen të gjitha dritaret e paanshme të informimit në Qarkun e Korçës, mes tyre Korça Plus TV dhe Pogradecipress.al, ose ndryshe mediat e vetme të cila kanë guxuar të mund tregojnë për publikun të gjitha abuzimet që këto institucione kanë bërë.
Angazhimi ka shkuar edhe më tej kur në strukturat politike, militantë e patronazhistë janë ngarkuar me detyrën që të kundërpërgjigjen me komente në disa raste dhe në raste të tjera të ushtrojnë presion mbi qytetarët të cilët bëhen pjesë e denoncimeve.
Padyshim fakti i gjithë kësaj ofensive, tregon realisht njollat e zeza në administrimin e bashkive dhe institucioneve të tjera, të cilat tremben nga e vërteta sidomos kur edhe SPAK-u është në terren. Ky reagim i unifikuar i mediave është paralajmërimi i parë që pushteti të mbajë duart larg fjalës së lirë!