Tenderat dhe vlerësimi i ofertave do bëhet online! Aplikimi për të garuar do të jetë me pagesë

Komisioni i Ekonomisë dhe ai i çështjeve Evropiane miratuan projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç se synon përafrim me legjislacionin e BE, ka si qëllim edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera.
Për të rritur garën e drejtë dhe konkurrencën, deputeti i PS-së Erion Braçe propozoi që të skualifikohen direkt nga gara, ofertat që vijnë nga kompani fiktive që ofrojnë shumë pak në raport me fondin limit të caktuar, dhe kur shpallen fituese nuk realizojnë projektin sepse s’kanë kapacitete. Ky propozim mori dritën jeshile nga Komisioni i Ekonomisë.
“Operatori paraqet një ofertë shumë të ulët, duke qenë se tenderi bazohet tek çmimi më i ulët, ai shpallet fitues, por nuk mund të ofrojë shërbimin. Më pas ky operator negocion me kompanitë e tjera pjesëmarrëse duke ju marrë ryshfet për të dalë nga gara. Duhet të s’kualifikohen nga gara ofertat anomalisht të ulta pa u marrë shpjegime. Janë operator që nuk justifikojnë atë çmim të ulët që bëjnë për të marrë atë kontratë”, tha Braçe.