Rrezikonte shumë para Europianit për shkak të një gjesti anti-sportiv/ FIFA pezullon sulmuesin e Gjermanisë

FIFA ka njoftuar se sulmuesi i Bayern Munichut, Leroy Sane është pezulluar për  tre ndeshjet e ardhshme miqësore të Gjermanisë. Sane u ndëshkua me karton të kuq pasi shtyu në tokë Philipp Mwene të Austrisë, në një humbje 2-0 në miqësoren e nëntor-it.

Kështu, lojtari nuk do të luajë në mars kundër Francës dhe Holandës, ndërsa nuk do kontribuojë dot në një test tjetër të “Panzerave”, që mund të luhet në prag të Europanit. Federata Gjermane e Futbollit nuk është pajtuar assesi me vendimin dhe shumë shpejt mund ta apelojë.

Gjithsesi, pavarësisht pretendimeve, më e keqja nuk ndodhi, pasi me një pezullim më të gjatë, ai rrezikonte ndeshjet e  grupeve në Euro 2024. Futbollisti i lindur në Essen numëron 59 ndeshje me Përfaqësuesen, ku ka realizuar 13 gola. Më parë, Sane ka luajtur për U19 dhe U21.