Çmimet e banesave në Bashkimin Evropian ranë me 1 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ndërsa në eurozonë rënia e çmimeve ishte 2.1 për qind. Sa i takon vendit tonë, modeli i ekonomisë i cili po përball edhe krizat e njëpasnjëshme, ka bërë që çmimet të qëndrojnë konstante. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Patundshme Reinaldo Pipiria rendit faktorët që sipas tij e bëjnë premtuese këtë industri edhe në të ardhmen.
“Ne nuk besojmë se do të ketë një rënie të çmimeve. Një komponent janë investimet e huaja direkte që tashmë e kemi të qartë se një nga 4 Euro që vijnë në Shqipëri shkojnë për pasuri të paluajtshme. Tjetër është pjesa e financimeve që vijnë nga sektori bankar, komponenti i tretë që ka të bëjë me remitancat.”
Pipiria thotë se kërkesa e lartë për prona ka bërë që rritja e normës bazë të interesit të mos japë asnjë efekt në frenimin e blerjeve të reja.
“Rritja e numrit të interesit nga 0.5-3.25% nuk është reflektuar 100% në rritjen e kostos së kredidhënies. Kreditë në Euro janë shtrenjtuar, pra ka kaluar 6%. Një pjesë e mirë e mbajtësit të portofolit të kredisë në Euro po konvertohet në Lekë.”
Sa i takon Shqipërisë, çmimet e pronave të patundshme janë rritur ndjeshëm. Duke filluar nga viti 2013, kur Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë filloi t’i analizojë, të dhënat tregojnë se çmimi i 1 metri katror në Tiranë e bregdet është dyfishuar.
