Gjykata lë në burg burrin e Bedrie Lokës! Ai mohon akuzat

Gjykata e Durrësit ka lënë në masën e arrestit me burg Xhemal Lokën, i cili akuzohet se ka shtyrë drejt vetëvrasjes bashkëshorten e tij, Bedrie Loka.

‘Nuk jam dakord me akuzën e prokurorit. Më janë bërë kërcënime nga njerëzit e gruas. Lidhur me Tik-Tokun e kam falur gruan dhe ja kam thënë këtë. Më kanë marrë në telefon anonim në Greqi e më kanë kërcënuar. Nuk e di cili ka qenë. I kam thënë kur të dalësh nga shtëpia merr një nga fëmijët me vete.

Kam pasur debate me gruan si çdo çift, por jo konflikt që ajo të shkonte në masë ekstreme. Si mund ta bëj unë atë veprim kur ajo është nëna e 4 fëmijëve të mi. Vëllai i saj Mahmudi di gjithçka. Nuk di çtë them më. Jam bërë më vra veten. Më jepni një masë më të butë se kam 4 fëmijë në ngarkim”, ka deklaruar Xhemal Loka.

Prokurori i çështjes së vetëvrasjes së Bedrie Lokës ka deklaruar se ndalimi i bashkëshortit të saj, Xhemal Lokës, është i ligjshëm dhe kërkoi sot (8 janar) masën e sigurisë arrest me burg, pasi konsiderohet person me rrezikshmëri.

45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.

Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Shkaktim i vetëvrasjes” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as pista e vrasjes. Pas arrestimit Loka ka deklaruar se bashkëshortja u vetëvra për shkak se nuk përballoi bullizmin në rrjetin social TikTok.