U plagos me plumb qorr natën e ndërrimit të viteve, flet 52 vjeçarja italiane: ‘Po ecja me burrin, diçka ra nga sipër!’

Tiranë- Detaje nga plagosja mesnatën e ndërrimit të viteve të turistes italiane në Tiranë.

Familja e 52-vjeçares italiane, Agata Carbonara, që u plagos nga një plumb qorr sapo u ndërruan vitet në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, kërkon ndihmë për transferimin në Itali për një mjekim më të specializuar.

Avokati i familjes së gruas, Vito Leonardo Candeloro, ka nisur një apel për autoritetet shqiptare për të lehtësuar transferimin e shpejtë nga Spitali Universitar i Traumës në Tiranë drejt Pulias në Itali. Sipas tij, klientja është e vetëdijshme dhe jashtë rrezikut për jetën, por i duhet ndërhyrje urgjente për të hequr plumbin që e ka akoma në këmbë. Ndërkohë burime nga Trauma kanë bërë me dije për Report Tv se Karbunara është transferuar nga reanimacioni në pavion për shkak të përmirësimit të gjendjes.

Avokati Candeloro, për mediat italiane, është shprehur se kërkohet ndërhyrje nga institucionet shqiptare, për të lejuar transferimi i gruas me ambulancë ose avion. Deri tani mjekët shqiptarë nuk kanë dhënë leje për transferimin e saj për shkak të frikës së përkeqësimit të shëndetit dhe komplikacioneve që mund të lindin.

52-vjeçarja është pyetur në Spitalin e Traumës këtë të mërkurë nga hetuesit. Ajo ka deklaruar se po ecte me bashkëshortin në bulevard në momentin që diçka ka rënë nga pemët lart, duke e goditur në qafë. Më vonë rezultoi se bëhet fjalë për plumb qorr.

Grupi hetimor deri në këtë fazë akoma nuk e ka të qartë nga ka ardhur plumbi. Janë sekuestruar të gjitha pamjet e kamerave rreth e përqark zonës por akoma nuk është konstatuar ndonjë gjë e dyshimtë. Italiania 52-vjeçare kishte ardhur në Tiranë për të kaluar festat e fundvitit.

Familja e saj nuk pranon që 52 vjeçarja ti nënshtrohet operacionit në Tiranë, por kërkojnë që plumbi t’i hiqet në Itali.