Miratohet kërkesa për zhvarrim të Liridona Murselit, do prehet në paqe në vendlindje

KOSOVË- Familja e Liridona Murselit ka njoftuar në pasditen e së dielës se i është miratuar kërkesa për zhvarrim të trupit të së ndjerës prej kur është varrosur më 1 dhjetor, dhe të rivarroset në varrezat e fshatit Rracaj në Gjakovë.

Procedurat do të nisin më 4 dhjetor. Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.

Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, G.P është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje. Vrasja është dënuar rëndë edhe prej autoriteteve në Kosovë. Zemërim të madh ka shkaktur edhe fakti që burri i saj ka qenë pjesë e ceremonisë së varimit. Familja e Liridonës ka thënë se beson se autoritetet do ta vendosin drejtësinë në vend për këtë rast. Ajo i ka lënë mbrapa dy fëmijë.

Marrë nga REL