Shpenzimet për kërkim zhvillim,Shqipëria e fundit në Europë

Fondet që shpenzohen për nxitjen e inovacionit dhe kërkim e zhvillim në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë, në raport me madhësinë e ekonomisë. Sipas Komisionit Europian, në vitin 2022, këto fonde ishte vetëm sa 0.05% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB).

Të dhënat e tjera të Eurostat të publikuara sot, tregojnë se fondet që jepen për kërkim e zhvillim janë shumë më të ulëta se mesatarja europiane prej 2.22% e PBB-së dhe më të ulëta edhe se vendet fqinjë.

Në rajon, rekordin e mban Serbia, me 0.97% të PBB-së. Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut e kanë këtë tregues përkatësisht 0.19 dhe 0.37% e PBB-së për vitin 2021 dhe 2020. Mungojnë të dhënat për Malin e Zi dhe Kosovën

Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për zgjerimin në kapitullin “Shkenca dhe kërkimi”, Shqipëria rriti fondet për kërkimin shkencor në 0.08% të PBB-së në 2023, nga 0.05% në 2022 dhe 0.04% në 2021, megjithatë kjo është ende shumë nën objektivin 1% të PBB-së deri në vitin 2030.

Financimi i kërkimit si përqindje e shpenzimeve publike arriti në në 0,17% të PBB-së në 2022. INSTAT duhet të prodhojë një grup të plotë të dhënash për kërkimin shkencor dhe inovacionin, vëren Komisioni.

Shpenzimet për kërkim zhvillim janë të rëndësishme për një vend pasi janë një shtytës thelbësor i rritjes ekonomike, duke nxitur inovacionin, shpikjen dhe përparimin, duke përmirësuar mirëqenein e qytetarëve.

Shqipëria në 30 vitet e fundit ka pasur si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore, çka ka bërë që inovacioni të mos jetë në fokus. Tashmë që pagat janë rritur, shumë  industri po përballen me problematika, duke rrezikuar mbylljen, pasi nuk janë më konkurruese.