Pas realizimit të objektivit madhor, kualifikimit në Europianin e Gjermanisë, Kombëtarja shqiptare do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e fundit të kësaj fushate kualifikuese, duke pritur në shtëpi kombëtaren e Ishujve Faroe.
Në ndeshjen e parë, kuqezinjtë e Silvinjos morën një fitore me vlera, me golat e Bajramit, Asllanit dhe Muçit, ndërkohë në takimin e fundit kualifikues, rivalët vijnë në Tiranë thjesht për statistikë, edhe pse për ekipin përfaqësues ka rëndësi një pikë që të sigurohet vendi i parë në grup.
Gjithsesi, para ndeshjes së sotme, në konferencë për shtyp foli trajneri i kombëtares së Ishujve Faroe, Jakan Erikson. Ky i fundit theksoi se nuk pretendon t’i prishë festën Shqipërisë, megjithatë në fushë skuadra do të mendojë për veten, ndërsa shtoi se do të provojë disa skema të reja.
“Ne nuk jemi këtu për t’i prishur punë apo rezultatin Shqipërisë, por për të bërë mirë vetë e për të ecur përpara. Do të aplikojmë disa skema të reja në këtë ndeshje, që nuk kemi pasur mundësi t’i provojmë”, u shpreh trajneri Erikson në konferencën me mediat.
Ishujt Faroe arritën që të marrin vetëm një pikë në shtatë ndeshjet e luajtura deri tani, baraziminme rezultatin 1-1, jashtë fushe me Moldavinë, teksa kanë shënuar vetëm dy herë dhe kanë pësuar 13 gola.
