TIRANË- Me thirrjet: ‘Besoni te shpirti ynë luftarak’, studentët e mjekësisë kanë protestuar edhe sot kundër ligjit që i detyron që të qëndrojnë për 5 vite në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve. Protesta e sotme është zhvendosur te godina e kuqe, e nuk dihet nëse do të protestojnë edhe tek Ministria e Arsimit.
Sipas tyre mënyra e vetëm për ti ballë këtij ligji është përmes protestave.
Pse po protestojnë studentët e mjekësisë?
Për disa javë rresht, dhjetëra studentë të mjekësisë kanë bojkotuar mësimin, duke protestuar para Universitetit të tyre si dhe para Kuvendit. Ata kërkojnë anulimin e një projekt-ligji, që parashikon punësimin e tyre të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve. Projekt-ligji u kërkon studentëve të mjekësisë që të nënshkruajnë një marrëveshje, sipas të cilës, ata do ta tërheqin diplomën e studimeve pas një punësimi 5-vjeçar në sistemin shëndetësor shqiptar. Por studentët deklaruan gjatë protestës, që nëse nisma nuk anullohet, ata do të bojkotojnë vitin akademik.
Projekt-ligji parashikon një marrëveshje me studentët e Mjekësisë, që ata të punojnë deri në 5 vite brenda vendit pas përfundimit të studimeve, në sektorin publik dhe atë privat. Edhe diplomën ata mund ta marrin vetëm pas punësimit 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas mbarimit të studimeve.













