Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës. Mësuesja Majlinda Palushi është goditur me një karrige nga një nxënës i vitit të dytë brenda ambienteve të shkollës. Mësuesja mësohet se ka thyer krahun nga goditja me karrigen.
Ndërkohë në shkollë kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariatin e Lezhës të nxënësit të vitit të dytë, i cili goditi mësuesen.
Deri tani nuk jepen detaje se si ka ndodhur incidenti dhe policia po punon për zbardhjen e dhunës në shkollë.
Nga ana tjetër mësimi është bojkotuar ditën e sotme nga mësuesit për shkak të kësaj ngjarjeje ndërsa pritet që të nesërmen të zhvillojnë një protestë lidhur me këtë situatë të vështirë nga sjellja e nxënësve.
Lezhë/Informacion paraprak
Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.
16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.













