Minatorët protestë para Kuvendit

TIRANË- Pak para nisjes së seancës plenare, një grup minatorët janë mbledhur sot para Kuvendit ndërsa protestojnë për plotësimin e kushteve të tyre. Ata kanë bllokuar rrugën për deputetët të cilët po hyjnë në Kuvend.

Me pankarta në duar, minatorët kërkojnë që të miratohet statusi i minatorit. ‘Statusin e minatorit, mos prisni të na e jepni pas vdekje’, lexohet në një prej pankartave të protestuesve.

Problematikat në minierën e Bulqizës

Dosja.al ka raportuar hap pas hapi protestën e minatorëve, e cila ka nisur prej muajsh dhe vetëm në nëntor u krijua Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e themeluar nga disa të rinj. Vetëm pak ditë më pas, Elton Debreshi, u bë hashtag trend top 1 në Facebook pas shkarkimit të tij të beftë nga detyra si minator në Bulqizë për llogari të kompanisë ‘AlbChrome’. I riu, guxoi të bëhet kryetar i shoqatës që ka në fokus mbrojtjen e minatorëve përballë pronarëve, u përball me fuqinë e pushtetit 5 ditë pasi “çoi kokën”. Por minatorët e Bulqizës nuk u ndalën me kaq. Ata patën edhe mbështetjen e aktivistëve të Organizatës Politike, të cilët vetëm pak ditë më parë në qendrën tregtare TEG, zhvilluan një aksion simbolik kundër biznesmenit Samir Mane, ku shpërndanë fletushka të vogla.