TIRANË- Banorët e Bërxullës po protestojnë sërish ditën e sotme kundër segmentit Thumanë-Kashar që kalon nëpër tokat e tyre bujqësore dhe zonat e banuara.
Ato kërkojnë shpronësim me vlerën e tregut dhe vendosjen përgjatë rrugës automobilistike të nënkalimeve apo mbikalimeve. Banorët kanë rikujtuar të vendosur që nëse nuk arrihet një marrëveshje me ta, do të shkojnë në vetëflijim.
Banorët kanë kërkuar bisedime me qeverinë, por kjo nuk është marrë në konsideratë, pasi asnjë deputet nuk ka shkuar t’i shohë.
“Shteti ynë është i shurdhët. Prokuroria fle gjumë edhe SPAK. Kemi një vit që kërkojmë të drejtën tonë legjitime. Shteti duhet t’i thërrasë logjikës së tij. Dalim në protesta sepse prona është e shenjtë. Si nuk erdhi asnjë deputet as i majtë as i djathtë. Kjo është një masakër që i bëhet këtij fshati. Është gjynah. Asnjë nuk vjen këtu, bëjnë tymnajë atje në studio dhe asgjë për ne. Regjimi tjetër na bëri sakat, ky po na fut në dhe. Një thirrje për mediat, të mos bëhen me pushtetin. Kemi një vit që protestojmë. I kemi bërë thirrje shtetit dhe institucioneve.”, shprehet një nga banorët.
Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak.
