Kush është prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu, në “listën e zezë” të Laert Haxhisë?

TIRANË-Artan Tafani “i penduari i drejtësisë” në dëshminë e tij ka zbuluar dhe përgatitjen për organizimin e vrasjes së një nga profilive më të larta të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nga dëshmia e tij rezultoi se vrasja po përgatitej për Doloreza Musabelliun, prokuoren e SPAK, e njohur për hetimin e disa çështjeve të bujshme midis tyre dhe çështja e “Masakrës e Lushnjes”. Me kërkesën e Kryeprokurorit të SPAK Altin Dumani, Musabelliu është marrë ditën e sotme për mbrojtje.

Doloreza Musabelliu është një nga 15 hetuesit të cilët u përzgjodhën fillimisht nga KLP si pjesë e SPAK-ut. Në media etiketohet si gruaja e hekurt e Drejtësisë, ka qenë prokurore e krimeve të Rënda dhe pas shkrirjes së Krimeve, kaloi prokurore në Tiranë.

Doloreza Musabelliu, 42 vjeç është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, dhe prandaj ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje.

Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës dhe masakrën e Lushnjes në vitin 2017. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017. Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtron funksionin në këtë prokurori prej 17 vitesh.

Së fundmi Musabelliu është prokurorja që sipas dëshmisë së Artan Tafanit është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për tu eleminuar, shkak ka qenë hetimi i saj për masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.