Publikohen pamje nga pengmarrja në Sarandë, ku një grup prej 6 turistësh italianë u mbajtën të izoluar në një shtëpi, pasi pronari i saj, Jashar Azemi, dyshonte se i kishin dëmtuar pajisjet.
Siç shihet nga videoja, turistët i kërkojnë pronarit të hapë derën, duke e cilësuar ilegale atë që po ndodh. Ata janë të veshur, me valixhet dhe gati për t’u larguar, por 59-vjeçari iu kontrollon valixhet dhe iu ka kyçur derën e apartamentit, teksa iu kërkon të paguajnë.
Njoftimi i policisë:
I dëmtuan pajisje në apartamentin e dhënë me qira dhe për këtë shkak iu hoqi lirinë 6 shtetasve italianë, për rreth 1 orë, në këtë apartament, vihet në pranga 59-vjeçari nga Kosova.
Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.













