TIRANË- Pensionistët shqiptarë që jetojnë në Itali janë ngritur në protestë për ngadalësimin e procedurave për njohjen e pensioneve. Fillimisht kanë shkuar para ambasadës italiane në Tiranë, p;or kanë bërë me dije se do të marshejnë edhe tek Kryeministria. Një qytetar shprehet se kontributet shoqërore të shqiptarëve që kanë punuar në Itali nuk derdhen në llogaritë e tyre, gjë që është e turpshme sepse vetëm me pensionin e pjesshëm në Shqipëri, e ka të pamundur jetesën.
“Më kanë dhënë 10 mijë lekë pension, ndërkohë që për vete rritën rrogat. Po është turp more. Ne jemi të diskriminuar nga shteti ynë në radhë të parë dhe nga politikat e huaja. Jam Fatmir Shkoza. Jetoj në Gjermani te fëmijët tani, u bie më qafë se s’kam mundësi të jetoj këtu,”- thotë pensionisti. Ndërsa një tjetër prej protestueseve, shtoi: Një person që ka punuar 50 vite një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë në Itali, nuk arrin që të dalë në pension. Është e papranueshme.

Sakaq, përpara ambasadës ka mbërritur edhe ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci. Gjatë një komunikimi me pensionistët, Bucci u shpreh optimist për zgjidhjen e situatës. Ai u ka garantuar atyre se gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt. Ai madje theksoi se edhe pala italiane po bën maksimumin për ta zgjidhur këtë çështje.
“I kam takuar edhe disa nga përfaqësuesit tuaj. Kemi arritur që të gjejmë një akord me qeverinë e Shqipërisë. Ka pasur edhe probleme me konvertimin financial. Tani jemi vërtetë në momentet e fundit, mungojnë vetëm disa pasazhe. Besoj që pas disa javësh do të finalizojmë këtë marrëveshje. Ka disa ministri që merren me këtë proces, pra janë çështje burokratike të vështira. Keni fjalën time se po përpiqemi maksimalisht. E di që keni shumë vite që prisni, ndaj ju lutem që të prisni dhe pak dhe të keni pak durim. Ju siguroj që po punojmë maksimalisht,”-tha ai para mediave të pranishme.













