Intervistoi Ilir Çopja
Intervistë me mjeken urologe Drilona Ndrevataj. Fokusi i intervistës do të jetë: cilat janë problemet kryesore urologjike, si ndikojnë ato në shëndetin e përgjithshëm të individit. Aspekt tjetër që ia vlen të diskutohet me mjeken lidhet me tabutë dhe paragjykimet e femrave që ushtrojnë profesionin e mjekut urolog.
1. Kur keni ardhur në Itali? Si ka qenë rrugëtimi juaj në sistemin arsimor italian?
Unë kam ardhur në itali ne vitin 2015. Unë kam përfunduar studimet për mjekësi në Universitetin Katolik Italian “Zoja e Këshillit të mirë”. Universitet i cili të jep një diplomë të dyfishtë: shqiptare dhe Italiane. Diploma e këtij universiteti më dha mundësinë të vija në Itali në vitin 2015 ku dhashë provimin për “Urdhërin e mjekut” në Itali (në Romë) dhe më pas konkursin për specializim. Konkursi për specializim në itali është një konkurs kombëtar dhe përmes atij konkursi fillova në vitin 2015 specialimizin në urologji në Genova. Specializimi në urologji zgjati 5 vjet dhe në vitn 2020 kam marrë diplomën e specializimit.
2. Cilat janë detyrat kryesore të mjekut urolog dhe nga dallojnë nga ato të andrologut?
Detyrat e një urologu dhe andrologu (që janë e njejta figurë si specializim) dmth ne dalim urolog dhe androlog dhe sipas dëshirës individuale dikush merret më shumë me një pjesë e dikush me pjesën tjetër. Urologjia është një degë që më ka pëlqyer gjithmonë sepse ka mjaft variacione si punë.Ajo përfshin të gjitha problemet e aparatit urinar dhe organeve gjenitale mashkullore. Si mjeke urologe unë merrem me sëmundje si psh: gurët në veshka, uretër, fshikëz, uretra. Me problematika të keqformimit të aparatit urinar, me kancerin e veshkës, të fshikëzës së urinës, prostatës, testikujve etj, me prolakset e fshikëzës së urinës, me hiperplazin e prostatës, me vizita urologjike, inkontinencën, cistitet etj. Nga ana tjetër andrologjia fokusohet tek problemet e ereksionit, problemet e ejakulacionit, fimoze, varicocele, induratio penis (që do të thotë harkim i penisit) etj
3. Se fundmi jeni mjaft aktive në rrjetet sociale a mendoni se ato janë mjete efikase për të komunikuar direkt me pacientët e mundshëm?
Rrjetet sociale kanë filluar të jenë vendi i preferuar dhe më i thjeshtë ku mund të japësh mesazhe të ndryshme, tashmë të gjithë jemi “nën varësinë” e rrjeteve sociale sidomos pas pandemisë. Më duken mjete ku mund të japim informacione të dobishme dhe të mos jenë thjeshtë kalim kohe.
4. Cilat janë problematikat për të cilat ju pyesin më shumë?
Një pjesë e madhe e ngarkesës së punës tone lidhet me kurimin e hiperplazis së prostatës, sëmundje beninje që prek rreth 70% të meshkujve mbi moshën 50 vjecare. Kjo sëmundje shkakon shqetësime të ndryshme në menyrën e urinimit. Pastaj një pjesë tjetër e rëndësishme e punës sime është trajtimi i kancereve të ndryshme të aparatit urinar e duke vazhduar me gurët në veshka etj.
5. Kur fillojnë të shfaqen problemet në sistemin urinar?
Problemet e sistemit urinar prekin cdo moshë, duke filluar në moshën e re te meshkujt si psh: problematika të ndryshme të testikujve, torsion apo tumore të testikujve, në gurët në veshka apo tek femrat cistitete etj e duke u bërë akoma më të shpeshta si patologji në një moshë më të madhe, rreth moshës 50 vjecare.
6. A mendoni se ende është tabu sidomos për djemtë e rinj për të bërë një vizitë tek mjeku urolog?
Këto ditë kam bërë një pyetje të tillë në faqen time në TikTok për të kuptuar këtë gjë dhe vërejta që kjo tabu nuk ekziston. Unë e mendoja këtë gjë para se të filloja specializimin por si në punën time të përditshme në Itali ashtu dhe nga feedback-u I TikTok-ut në Shqipëri shoh që kjo pjesë nuk është më. Kjo problematikë ekziston më shumë te meshkujt në mosha të mëdha (rreth 70-80 vjecare)
7. Problemet urologjike shpesh ndikojnë në jetën seksuale të individit. Ju lutem mund të shpjegoni në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë si lidhen këto problematika dhe pse është I rëndësishëm kurimi në kohë dhe në mënyrën e duhur e këtyre problemeve?
Tek të rinjtë (meshkuj 20-40 vjecarë) has shpesh probleme si “ankthi i performancës”, që e shfaqin në vizitat urologjike dhe gjatë marrjes së një trajtimi. Zakonisht problematikat kryesore seksuale në urologji janë të lidhura me tumorin e prostatës, menyrën e trajtimit ose trajtimi i hiperplazisë së prostatës, inflamacionet kronike të prostatës. Këto sëmundje duhen gjithmonë të dallohen nga semundjet e tjera organike që mund të jenë shkaktar të saj. Kur na vjen një pacient me probleme të tilla ne jemi të detyruar të përjashtojmë patologjitë e tjara, kështuqë bëjmë një kontroll të përgjithshëm, analiza që përfshijnë funksionimin e zemrës, të mëlcisë, veshkave, analiza hormonale të ndryshme dhe ekografi për të parë nëse jemi në prani të ndonjë sëmundjeje. Kurimi në kohë i këtyre shqetësimeve ashtu si i cdo sëmundjeje tjetër në pjesë të tjera të trupit sjell rezultate më të mira
8. Si ju duket shërbimi urologjik në Shqipëri? A mendoni se ka nevojë për nje fushatë për të sensibilizuar sidomos të rinjtë se vizita te mjeku urolog nuk do të thotë detyrimisht se je i sëmurë?
Kjo është një ndër arsyet e hapjes së rrjeteve sociale për mua. Sipas meje është shumë i rëndësishëm sensibilizimi dhe informimi mbi parandalimin e hershëm të problematikave të ndryshme shëndetësore dhe trajtimi në kohë i tyre. Shumë sëmundje urologjike dhe jo vetëm, në momentin që ne presim të kemi simptoma është vonë. Çka do të thotë se për ti kuruar duhen identifikuar në kohë përndryshe kurimi bëhet shumë më i vështirë ose nuk është më i mundur.
