Një grup protestuesish janë mbledhur këtë të diel në parkun pas Teatrit të Operas dhe Baletit, për të kundërshtuar prishjen e tij.
Me sloganin “Larg duart nga parku”, Lëvizja Bashkë ka organizuar këtë protestë.
“Tiranës po i zhduket një nga parqet e fundit, ai që shtrihet midis pallateve 9-Katëshe dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Dhuna e Betonit nuk ka të ndaluar. Pushtetarë të korruptuar dhe oligarkë të paligjshëm po na lenë pa një prej hapësirave të fundit publike e të gjelbra që i kanë mbetur qytetit”, shkruhet në pankartat e protestuesve.
Kullat po i marrin frymën Tiranës, u shpreh në fjalën e tij drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë” Arlind Qori.
“Këto kulla jo vetëm po e shkatërrojnë, jo vetëm po na e marrin frymën, por nuk do të kenë as një minimum funksioni ekonomik. Shikoni si kullat janë në errësirë, por të gjitha rezultojnë të shitura. Kush i blen, blejnë trafikantët e drogës, politikanët e korruptuar, çdokush që ka qeverisur dhe vjedhur këtë vend në 32 vjet”.
Ky park aktualisht është rrethuar dhe pritet të kthehet në kantier ndërtimi.
