Kryeministri Edi Rama ka “thyer” sot heshtjen për prangat që i tunden bashkëpunëtorit dhe ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj.
Fjalimin e tij që zgjati më pak se 30 minuta, i regjistruar në zyrën e konferencave në Kryeministri, Edi Rama e ndau në disa pjesë; në të parën foli për reformën në drejtësi dhe “mundin” e Partisë Socialiste për ta implementuar.
Në të dytën, për vetë personazhin kryesor të fjalimit të tij.
Edhe njëherë, por me fjalë të tjera, Rama tha se përgjegjësia është personale, ndërsa shtoi se pavarësisht kësaj arritjet e Reformës janë të dhimbshme. Edhe pse pranoi se Ahmetajn e ka pasur bashkëpunëtor të ngushtë, kreu i qeverisë tha se ia kishte bërë me dije atij dhe gjithë të tjerëve se pasojat e veprimeve do t’i mbajnë vetë mbi supe.
Opozitën nuk e la gjithashtu pa përmendur.
Sipas tij, sulmet e tyre vijnë pasi edhe vetë kanë frikë për drejtësinë që po u afrohet. Ndërsa një mesazh të fundit e dha për socialistët e tjerë.
“Kokën lart dhe vetëm përpara,”-tha Rama duke e mbyllur regjistrimin e tij.
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me votimin që u bë sot në Kuvendin e Shqipërisë, i cili i hapi rrugën SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Sot në Kuvend, edhe vetë kryeministri dha votën pro për kërkesën e SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Arben Ahmetajt.
Me 117 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim u votua pro kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesës së tij, por absetenduan vetëm Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka.
Me këtë vendim, Kuvendi heq imunitetin e Ahmetajt, por ky i fundit vijon ta mbajë mandatin e deputetit. Ahmetajt mund t’i hiqet mandati në rastin e vendimit të formës së prerë nga gjykata ose nëse ai jep dorëheqjen.













