Grusht shteti në Rusi/ Grupi Wagner drejt Moskës

Rusia në prag të luftës civile. Organizata mercenare Wagner po i drejtohet Kremlinit. Tashmë janë nën kontroll disa qytete.

Pas vendimit të papritur të kreut të organizatës mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, një natë më parë për t’u rebeluar kundër komandës së lartë ruse dhe për t’u bërë thirrje ushtarëve rusë që t’i bashkohen, në Rusi zhvillimet janë të shpejta.

Ish-aleati i Putinit akuzoi ushtrinë ruse për granatimin e kampeve të grupit, duke vrarë shumë militantë dhe u zotua për hakmarrje. Mediat e huaja shkruajnë se pas këtyre akuzave, gjatë natës ka filluar një betejë midis dy palëve dhe avancimi i Prigozhinit drejt territorit rus, gjë që alarmoi autoritetet ruse.

Prigozhin në një postim të fundit ka konfirmuar se ka hyrë në Rusi me trupat e tij për të përmbysur hierarkinë ushtarake, duke deklaruar se ishte “gati të vdiste” me 25,000 burrat e tij për të “çliruar popullin rus” .

Gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, kreu i Wagner kaloi nga Ukraina në territorin e Rusisë, në rajonin e Rostovit dhe guvernatori i rajonit u bëri thirrje banorëve që në orët e para të ditës së sotme të ruajnë qetësinë dhe të “qëndrojnë në shtëpi”.

Rusia po përballet me një luftë civile, pasi grupi mercenar Wagner nisi një kryengritje ndaj presidentit Vladimir Putin.

Grupi Wagner pretendon se kontrollon të gjitha objektet ushtarake në qytetin jugor Rostov-on-Don, ashtu si edhe zonat ushtarake në Voronezh, qytet më në veri të Rusisë, teksa po përparon drejt Moskës, ku është ngritur alarmi.

Por a mund të fitojë Wagner në një përballje me ushtrinë ruse?

Sot “fytyra” e pushtimit rus të Ukrainës/ HISTORIA e grupit “Wagner”: Si grabisin ar dhe diamante në Afrikë
Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë. Grupi vlerësohet të ketë rreth 25,000 ushtarë. Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se grupi Wagner komandonte deri në 50,000 trupa, megjithatë rreth 20,000 prej tyre thuhet se janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë.

Nga ana tjetër ushtria ruse ka rreth 800,000 ushtarë aktivë. Forca dikur vlerësohej në më shumë se një milion ushtarë, megjithatë mendohet të ketë pësuar të paktën 220,000 viktima gjatë luftës në Ukrainë.

Rusia mendohet të ketë rezervë edhe 250,000 anëtarë të tjerë të shërbimit.