Këtë të premte Mira Kazhani sjell në episodin e podcast Armelën, 40-vjeçaren nga Elbasani që jeton dhe ka ndërtuar karrierën e saj në Madrid të Spanjës. Emigrantët e edukimit janë herë pas here në ZëmeMirënPodcast, për të kuptuar mbi historitë e tyre, zigzaget dhe shijen e një karriere në gjuhë të huaj. Por edhe jetën e thjeshtë, botët që na bashkojnë e ndajnë. Njihuni me Armela Dinon!
Një pjesë e intervistës së transkriptuar
Mira Kazhani: E ftuara e këtij episodi në Podcast jeton në një lagje shumë simpatike të Madridit, aq sa kur erdhëm këtu, patëm atë dëshirën tipike që na ndodh ne: Mund të kishim jetuar shumë mirë.Të pëlqen kështu shtëpia minimaliste?
Armela Dino: Po jam minimaliste.
Mira Kazhani: Armela, si përfundove ti në Madrid? Ti nuk ke studiuar në Spanjë?
Armela Dino: Kam studiuar në Spanjë, por fillimisht nuk erdha në Spanjë. Unë linda në vitin 1982 dhe dola nga Shqipëria në vitin 2000. Isha 18 vjeç. Në atë kohë, në vitin 2000, Spanja dhe Shqipëria nuk kishin këto lidhje që kanë sot. Unë si 18-vjeçare, në atë kohë që ishte ai emigrimi për edukim, nuk ishte emigrimi ekonomik i viteve `90, por ishte emigrimi për edukim, kishim atë diapazonin tonë. Do shkonim ose në Lindje, në Rumani, disa në Bullgari, ose në Itali. Ishte fillimi i atyre viteve. Atje ku të mundnim, ose atje ku kishim familjarë që mund t`i njihnim, ose atje ku dinim gjuhën. Ajo më ndodhi mua. Unë studiova në Angli, por e hodha edhe për në Itali, edhe për në vende të tjera. Siç thoshim: E hodha. Shiko sa bukur! E hodha fatin! Apo jo? E hodha mundësinë. Pastaj ia lë energjisë, universit se ku del. Prandaj unë studiova në Angli. Në Angli më dhanë shumë bursa për të bërë një degë që i interesonte gjithashtu edhe universitetit. Dega që më dhanë, që ishte me më shumë bursa dhe që unë mora, nuk ishte dega uau (dhe ky është një mesazh për të rinjtë) që unë doja. Isha pak konfuze. Është normale. Je 18 vjeç. E rëndësishme për mua ishte të shkoja në Londër. Walking on the streets of London. Dhe ashtu e kalova atë vitin e parë e çuditur që isha në Londër. Dega që më dhanë ishte Marketing French and Spanish. Në Angli në atë kohë dhe besoj se vazhdojnë, i kombinojnë shumë degët e universitetit, sepse univeristeti shihet vetëm si një fazë tjetër e edukimit të personit. Kështu që duke bërë unë marketing frëngjisht dhe spanjisht, në vitin e tretë duhet të dilja nga Anglia për të bërë një Erasmus në Francë dhe e bëra në Francë semestrin e parë dhe semestrin e dytë e bëra këtu në Madrid. Dhe është ashtu siç njoha Spanjën. Ishte një pjesë e Universitetit.
Mira Kazhani: Pati ti atëherë një ide se ku do doje të jetoje dhe të punoje?
Armela Dino: Jo. Në atë kohë isha shumë intuitive. Kisha fatin e madh. Besoj se çdo fëmijë dhe çdo adoleshent e ka një intuitë të brendshme shumë të fortë që besoj se duhet të dijë të ndjekë. Duhet të ketë një farë lloj besimi që këtë brum që ka, bashkë me diçka, punim të këtij brumi, që janë këshillat që mund të të japin të tjerët, formimi që mund të kesh… Unë ndjeva kur erdha këtu në Madrid një dritë të bardhë të qiellit që ishte ndryshe nga drita e Parisit. Një gëzim tek njerëzit dhe një lloj jete në rrugë, në sheshe që ishte e përgjithshme që nga fëmijët e deri tek pleqtë. Kjo gjë më lidhi shumë me atë pjesën e Mesdheut ku unë u linda dhe që ishte vendi im dhe që është Shqipëria. Pata një lloj dëshire që ta njihja më shumë Madridin dhe Spanjën, por jo që të punoja, e të bëja…
Mira Kazhani: Edhe ne që erdhëm gjysmë turistë e gjysmë për punë, e ndjejmë këtë buzëqeshjen e Madridit dhe njerëz të qeshur shumë. Njeriu në fund të fundit është e rëndësishme që të bëjë karrierë dhe të ketë një punë të mirë, të ketë para, të bëjë gjërat që do, secili ka kërkesat dhe ambiciet e veta, por në fund fare është kaq e rëndësishme kjo drita, kjo energjia që ti merr nga njerëzit dhe këtu është shumë e fortë. Ti ke qenë gjeni në shkollë?
Armela Dino: Jooo.
Mira Kazhani: Po ke fituar aq shumë bursa?!
Armela Dino: Unë kam qenë sistematike. Në klasa ne kemi pasur nxënës të tjerë që kanë qenë më të fortë sesa unë. Unë hyja tek personat që ishin të mirë me mësime dhe që ishin shumë sistematikë.
Mira Kazhani: Flasim pak për punën tënde në Madrid. Ti punon në Ministrinë e Shkencës. Unë u futa për të parë se çfarë bëje ti, ishte aq e vështirë ajo puna jote… Pra ti punoje për të thjeshtuar gjëra të vështira, kështu që do ma bësh dhe mua të thjeshtë dhe publikut të podcastit punën tënde.
Armela Dino: Unë jam analiste politiko-shkencore në Ministrinë e Shkencës dhe Inovimit. Jam nëpunëse civile e administratës shtetërore spanjolle. Puna ime ndahet në tre pjesë. Në radhë të parë unë bëj përfaqësimin e Spanjës në dialogje ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian. Pra jam përfaqësuese e Spanjës në dialogun për bashkimin për Mesdheun, për disa gjëra të politikës shkencore. Politika shkencore është strategjia e Sektorit të Shkencës dhe Inovacionit. Siç mund të kemi dhe strategji të energjisë, të transportit. E shpjegoj këtë, sepse shpeshherë kur flas me shumë njerëz është një politikë e re që po mundohemi që ta shtyjmë. Kuptohet, edhe në vendet më të vogla, ka politikë shkencore. Kjo është pjesa e parë. Pra unë jam spanjolle, jam përfaqësuese e Spanjës. Në radhë të dytë, unë merrem me ndihmën për lidhjet bilaterale që kemi në Spanjë. Pra kur takohen ministri e ministrja jonë e Spanjës, me atë të Argjentinës apo të tjera vende, sepse në BE funksionojmë jashtë si një dhe ka më pak lidhje bilaterale, sesa me jashtë Bashkimit Europian. Personi që i përgatit informacionin shefave dhe superiorëve të mi, që nga ministra, sekretarë të përgjithshëm etj, personi i parë jam unë. Në radhë të tretë më duhet të merrem me një njohje të përgjithshme, me një kritikë, të di të ndërtoj kritikë për zhvillimet e fundit në kërkimet shkencore që ndodhin në botë.
Mira Kazhani: Si mendon se po e ndikon po e përfshin teknologjia kohën që jetojmë?
Armela Dino: Kuptohet teknologjia është një tjetër pjesëmarrës në këtë sistemin e mirëqenies tonë. Nuk më ngel që tjetër përveçse ta pranoj. Dhe për ta pranuar duhet ta kuptoj akoma dhe më shumë, jo vetëm si përdoruese, por edhe sesi funksionon, edhe ta përqafoj dhe ta marrim në këtë rrugën tonë të njerëzve.
Mira Kazhani: Vura re që nuk ke shumë raport me telefonin. Për shembull, është ora 12:00 e drekës në Madrid dhe deri para pak minutash që prej orës 20:00 të mbrëmjes së shkuar, ti nuk e ke hapur fare. Kjo nuk ndodh zakonisht me mua apo me shumë njerëz rreth meje.
Armela Dino: Kjo ka të bëjë me higjienën time mendore.
Mira Kazhani: Lum si ti!
Armela Dino: Nëqoftëse unë dua të kem një natë të qetë, ripërtëritëse, gjumi duhet të jetë ripërtëritës, këshillojnë të diturit. Dhe unë pasi kam dëgjuar dhe lexuar disa prej tyre, u kam marrë ca këshilla dhe i kam vënë në praktikë. Këshillohet që dy deri në katër orë përpara gjumit do ishte mirë t`i fiknim këto.
Marre nga TiranaPost.al
