Nga Ersid Karaj
Mungesa e një qendre rinore në qytetin e Elbasanit bën që të rinjtë në zonën më të madhe, lagjen 5 Maj, të mos kenë mundësi ku të kalojnë kohën e lirë. Për shkak të apatisë dhe mosekzistencës së një ambienti të përshtatshëm rinor, shumë të rinj nga qyteti i Elbasanit të enden kafeneve dhe të kthejnë parkun “Rinia”, të vetmen hapsirë të gjelbër, në një vend të përdorimit të lëndëve narkotike.
“Qyteti i Elbasanit ka një kulturë dhe histori për t’u krenuar dhe kjo është ‘arma’ më e fortë me të cilën do të ‘luftojmë’ për të ecur përpara, për t’u zhvilluar më tej”, – do të shprehej kryetari i bashkisë Gledian Llatja gjatë një aktiviteti për ditën e trashëgimisë kulturore në vitin 2019 duke premtuar më shumë qendra me aktivitete për të rinjtë.
Por, ndërkohë, çfarë masash ka ndërmarrë Bashkia e Elbasanit mbi këtë problematikë ndërsa jemi në vitin 2022 që të rinjtë të kenë më shumë mundësi të kalimit të kohës së lirë dhe argëtimit?
Pyetje si ajo më sipër dhe të tjera i janë adresuar bashkisë nëpërmjet një kërkese për informacion por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka një përgjigje.
Mungesa e hapsirave rinore është një shqetësim i ngritur edhe në një studim të kryer INAC në vitin 2022 mbi grupmoshën 14-15 vjeç. “Të rinjtë e klasave të 9-ta në qytetin e Elbasanit mendojnë se prioritet për të përmirësuar jetën e të rinjve në qytetin e tyre janë, siguria në shkollë dhe rrugë, si edhe kushte në shkollë, duke dëshmuar situatën e rënduar sociale në qytet. Siguria është nevojë bazike, ndaj mungesa e saj nuk lejon lulëzimin e jetës dhe zhvillimit psikosocial të të rinjve. Strukturat policore, instucionet lokale, shkollat dhe kushdo aktor tjetër me influencë dhe përgjegjësi, duhet të tronditet nga këto rezultate. Nxënësit deklarojnë se ka mungesa në aktivitetet kulturore, sociale, si dhe të hapësirave për të praktikuar sport” thuhet në gjetjet e studimit, i kryer per here te pare ne kete grupmoshe.
Shqetësimi i mungesës së një qendre për të rinjtë në pjesën veriperëndimore të qytetit u ngrit nga raportimet e nxënësve të gjimnazit “Mahir Domi” i ndodhur në lagjen 5 Maj, pas sesioneve informuese dhe trajnimeve për praktikat në media.
Një gjimnazist, që i është bashkuar nismës për vendosjen e stolave dhe kthimin e parkut në një vend miqësor për të rinjtë. Agim Gremi thotë se pasiviteti dhe mungesa e mundësive kanë bërë që të rinjtë ti drejtohen emigracionit dhe mos e shohin qytetin e Elbasanit si vendin ku mund të ndërtohet e ardhmja.
“Qendra rinore apo zyra rinore e këtij qyteti i duhen më shumë jo vetëm për të bërë të mundur lindjen e një fryme të re aktiviste, por edhe për të rikthyer shpresën që Elbasani dhe përgjithësisht Shqipëria janë duke ndjekur hapat e duhur në raport me atë ç’ka do ti ofrojnë të rinjve, pasi në shikojmë se shumë të rinj dita-ditës, presin të largohen nga vendi i tyre, të ndahen për së gjalli me njerëzit e dashur dhe me të gjithë themelet që mund të kenë hedhur këtu. Dhe e gjitha kjo vjen me një kalvar sakrificash qoftë emocionale,ekonomike, fizike dhe mendore pasi kur e mendon jetën në një vend të huaj për të përmirësuar të ardhmen përpara teje do përballesh me të gjitha vetëm” thekson ndër të tjera ai.
Ndërkohë qytetarët të cilët shëtisin dhe kalojnë kohën e lirë në park thonë se e njohin këtë situatë dhe duan që fëmijët e tyre të merren me aktivitete argëtuese dhe edukuese. “Kam dy djem, njëri është 17-vjeç dhe tjetri 15-vjeç, siç vijnë nga shkolla, ose do dalin me shokët nëpër kafe ose do luajnë me telefona, nuk ka vërtetë një qendër rinore ku fëmijët të merren me aktivitete, të mësojnë diçka, të lexojnë. Brezi ynë ka qenë më ndryshe. Më mirë në kafe me shoqërinë e tyre sesa me ndonjë shoqëri të keqe e të fillojnë të pinë duhan e drogë, siç pihet këtu te Parku Rinia çdo natë”, – kështu u shpreh një nënë e dy djemve dhe njëkohësisht mësuese në një nga shkollat 9-vjeçare në Elbasan, e cila nuk dëshironte të identifikohej me emër.
Siç shihet edhe në foton e mësipërme, këtu është hyrja ku të rinjtë në Elbasan të moshave të ndryshme, futen dhe konsumojnë lëndët narkotike. Në brendësi të këtij vendi, mund të gjesh pafund bishta cigaresh, shiringa, madje, siç shprehen edhe qytetarët është kthyer edhe në një banjo publike masive.
“Gjatë mbrëmjes, por edhe gjatë ditës, i gjithë parku kthehet në vendin ku të rinjtë marrin drogë. Ka shiringa, që janë të shpërndara gjithandej dhe është e pamundur të qëndrosh me familjen dhe fëmijët këtu. Prandaj largohen shumica e të rinjve që kanë aspirata nga ky vend, sepse është bërë i paqëndrueshëm”- shprehet një i qytetar rreth moshës 50-vjeç që parkun e përdor çdo ditë si një rrugëkalim për të shkuar në punë.
Lagja 5 Maj ka mbi 30 mijë banorë dhe konsiderohet zona me një dendësi të madhe banorësh që nis nga qendra e deri në zonën suburbane. Kjo lagje ka dy shkolla të mesme dhe një nëntëvjecare në juridiksionin e saj. Qendra Riemar është e vetmja hapsirë për mundësi të ushtrimit të talenteve si dhe aftësim profesional. Ajo është e vetmja qendër në qytet në pjesën veriore ndërkohë që qyteti ka me qindra të rinj që kalojnë orët e tyre kafeve dhe veseve pa shumë mundësi për të ardhmen.
Siç shihet edhe nga pamjet e fotos më lart, shumica e të rinjve në Elbasan, zgjedhin ta kalojnë kohën e tyre të lirë në ambiente argëtuese, dhe sheh shumë pak raste prej tyre në ndonjë bibliotekë apo në ndonjë dyqan librash. Dhe për këtë arsye, një Qendër Rinore, do të ishte një alternstivë e duhur, për të zbutur sado pak këtë situatë kaotike.
