Nisma “Shkëndija”, aktivistët bëhen bashkë për kthimin e parkut “Rinia” në një vend miqësor për të gjithë

Grupi i të rinjve vullnetarë të organizatës INAC ka ndërmarrë nismën “Shkëndija” për vendosjen e stolave përgjatë hapsirës së parkut “Rinia” dhe kthimin e tij në një vend miqësor për të rinjtë.

Kjo nismë nuk ka si qëllim fundor vetëm vendosjen e stolave, por edhe ndryshime të tjera me qëllim shndërrimin e parkut nga një hapsirë e rrezikshme për femijët dhe të rinjtë në vendin, ku ata të mund të kalojnë kohën e lirë në shërbim të zbavitjes dhe të shlodhjes.

Të rinjtë janë të motivuar që të bëjnë ndryshime në qytet dhe kërkojnë mbështetjen e të gjithëve për ti shërbyer pjesës më vitale. Të rinjtë e përfshirë në nismë janë nga gjimnazet e qytetit,  aktivistë për mjedisin dhe të drejtat e të rinjve në Elbasan.

Programi #Shkendija# vjen në kuadër të projektit “Sparking Activism Iniatives Locally” -SAIL II, i zbatuar nga CO PLAN, Instituti per Zhvillimin e Habitatit me mbeshtetje financiare te zyres se Marrëdhënieve me Publikun në US Embassy Tirana si pjese e programit “Civil Society Capacity Building”.

Parku “Rinia” sot

Parku Rinia ka pësuar një rikonstruksion dhe është rikonceptuar në tërësinë e tij duke shtuar elementë të rinj, një prej të cilëve do të ishte betoni që është përdorur në pjesën më të madhe të ndryshimeve që ka pësuar ky park vitet e fundit.

I ndërtuar rreth viteve 70-të dhe i rikonstruktuar në vitin 2002, parku kryesor dhe më i madh i Elbasanit me një sipërfaqe 8.2 hektarë, iu nënshtrua  një rikualifikimi të plotë në vitin 2018,  që parashikonte  edhe krijimin e vendeve të shlodhjes dhe argëtimit për të gjitha moshat. Parku do të merrte një pamje të re, ndërkohë që hapësira e tij do të shtohej duke u zgjeruar në anën lindore. Në parkun e rikonceptuar do të kishte ambjente për çdo lloj grupmoshe, si ajo për moshën e tretë me tavolina shahu e dominoje dhe tavolina pikniku për familjarët. Materiali i përdorur prej betoni dhe një shëtitore nën imitimin e kalasë historike e transformuan për keq këtë park duke zhgënjyer qytetarët e Elbasanit. Duke menduar për ulëse prej betoni, projektuesit “harruan” stolat përgjatë parkut dhe pasojat tashmë po i vuajnë të moshuar, nëna me fëmijë dhe qytetarë të ndryshëm që frekuentojnë parkun. Parku mban emrin e të rinjve dhe si i tillë duhet të ishte miqësor me të rinjtë, por imazhi i krijuar tashmë është ai i përdoruesve të drogës dhe jo i argëtimit dhe shlodhjes.

Parqet mbrojnë nga vdekja e parakohshme

Një studim shkencor I  ISGlobal tregon se hapsira e gjelbër në qytete redukton vdekshmërinë e parakohshme.

“Qytetet shpesh nuk kanë shumë hapësirë ​​të gjelbër. Hapsira e gjelbër është gjithashtu e mirë për zbutjen e klimës përmes reduktimit të efekteve të ishujve të nxehtësisë në qytete dhe reduktimit të efekteve të ndotjes së ajrit.” shpjegoi Dr. Mark Nieuëenhuijsen, drejtor i Iniciativës së Planifikimit Urban, Mjedisit dhe Shëndetit në ISGlobal.

 

“Hapsira e gjelbër është gjithashtu e mirë për thithjen e karbonit. Pra, ka efekte të shumta të dobishme. Dhe rritja e hapsirës së gjelbër mund të zvogëlojë një numër të konsiderueshëm vdekjesh të parakohshme në qytete.”vazhdon më tej ai.

Ekipi hulumtues, duke përdorur rezultatet nga studimet  e të njëjtit grup individësh gjatë disa viteve, analizoi sasinë e hapësirës së gjelbër (nga imazhet satelitore) dhe vdekjen e parakohshme për të gjitha shkaqet.

Studimet që ata shqyrtuan mbuluan më shumë se 8 milionë njerëz në të gjithë SHBA, Kanada, Kinë, Itali, Spanjë, Zvicër dhe Australi.

Studiuesit zbuluan se për çdo 0.1 rritje të hapsirave të gjelbra brenda 500 metrave nga shtëpia e një personi, kishte një ulje prej 4% të vdekshmërisë së parakohshme. Këto rezultate tregojnë se sa e rëndësishme është hapësira e gjelbër për strategjinë e shëndetit publik.

Kontributi ynë për mjedise të gjelbra është një kontribut për shëndetin.

Të shtojmë më shumë stola dhe të kontribuojmë të gjithë së bashku që parku ti kthehet domethënies së tij.

Park/u: 1. Kopësht i madh me drurë zbukurues dhe me lule, që shërben si vend pushimi; shesh i pajisur me lodra për argëtim e mjete për sport.

#tërinjtëpërparkun